Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Fundoset në Detin e Kuq anija që ishte sulmuar nga rebelët Houthi

Fundoset në Detin e Kuq anija që ishte sulmuar nga rebelët Houthi

Një anije e cila ishte sulmuar nga rebelët e Jemenit Houthi është fundosur në Detin e Kuq. Anija Rubymar me flamurin e shtetit të Amerikës Qendrore, Belizë, u godit me raketë balistike nga rebelët në 18 shkurt, ndërsa po udhëtonte përmes ngushticës Bab el-Mandeb, pikë kryesore lidhëse mes Detit të Kuq dhe Gjirit të Adenit.

Qeveria e Jemenit, e njohur ndërkombëtarisht, si edhe zyrtarë rajonalë ushtarak konfirmuan sot fundosjen e anijes.

Ky është rasti i parë që një anije fundoset si pasojë e goditjeve, ndërsa rebelët Houthi po kryejnë prej muajsh sulme ndaj anijeve tregtare ndërkombëtare.

Deri më tani, shumë anije kanë ndryshuar drejtim për shkak të këtyre sulmeve. Fundosja e anijes mund të shkaktojë devijime të tjera dhe mund të nxisë rritje të tarifave të sigurimit për anijet, duke rrezikuar rritjen e inflaciont global dhe duke ndikuar në dërgesat e ndihmave në rajon.

Komanda Qendore e Ushtrisë Amerikane kishte paralajmëaruar më herët se fundosja mund të shkaktonte dëme ekologjike në Detin e Kuq.

Kryeministri i qeverisë së Jemenit të njohur ndërkombëtarisht, Awad Bin Mubarak tha se fundosja e anijes paraqet dëm të pashembullt të mjedisit.

Rebelët Houthi kanë kryer sulme të shumta që nga nëntori, duke përdorur dronë, raketa dhe varka për të goditur anijet në Detin e Kuq.

Rebelët e mbështetur nga Irani thonë se po veprojnë në solidaritet me palestinezët në Gazë.

Forcat amerikane dhe britanike kanë kryer sulme hakmarrëse në Jemen, për të rrëzuar dronët dhe raketat Houthi me qëllim mbrojtjen e rrugës së rëndësishme të transportit në Detin e Kuq.

Powered by WordPress