Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > “Fundi” i një lufte pa fitues

“Fundi” i një lufte pa fitues

Shkruan: Afrim Kasolli

Konflikti ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izrealit ka hyrë në një armëpushim fragjil. Uashingtoni dhe Teherani me ndërmjetësimin diplomatik të Islamabadit janë pajtuar për një pauzë dy javore. Se sa do të jetë i qëndrueshëm ky zotim i palëve për t’u përmbajtur nga sulmet mbetet të shihet, sidomos kur marrim parasysh inkursionin e Izrealit në Libanin jugor, dhe që sipas SHBA-ve dhe Izrealit ky operacion nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes. Kurse Irani po insiston që edhe luftimet në Liban kundër Hezbellohut të ndalen pa humbur kohë, përndryshe nuk do të lejohet qarkullimi i lirë tregtar në ngushticën e Hormuzit.

Sidoqoftë, ashtu siç është zakon pak pas bërjes publike të hyrjes në fuqi të këtij armëpushimi si SHBA-te edhe Irani e shpallën fitorën në luftën që zgjati më shumë se një muaj. Por e vërteta është se ky konflikt nuk ka përfunduar qoftë edhe përkohësisht, me kapitullim të asnjërës palë, por me armëpushim, gjë qe tregon se te dy palët kanë pasur nevojë për një frymëmarrje.

Irani sepse tashmë bombardimet i kanë rrënuar deri në ekstrem kapacitetet e tij ushtarake dhe shtetërore, si dhe e ka humbur pjesën me të madhe drejtuese të regjimit teoktratik. Megjithëse ky i fundit ia doli ta mbijetojë këtë furtunë, pavarësisht iluzioneve të presidentit Trump se ai ka ndryshuar.

Në anën tjetër SHBA-te, sepse mbyllja e ngushticës e ka destabilizuar tej mase ekonominë botërore për shkak të fluturimit të çmimeve të derivateve të naftës. Po ashtu edhe sulmet e vazhdueshme ndaj vendeve arabe aleate të SHBA-se, po shndërronin atë luftë, jo me vetëm në luftë të Iranit, por në një konflikt rajonal në Lindje të Mesme. Prandaj edhe termat e armëpushimit nuk e përmbajnë asnjërin nga qëllimet fillestare te operacioneve ajrore amerikano-izrealite, por vetëm hapjen imediate të ngushticës në fjalë.

Kjo arterie për dekada të tëra eshte konsideruar “diçka e ngjashme me një pronë të përbashkët globale. Ngushtica e Hormuzit është një kalim i ngushtë, me një kanal transporti detar prej 3.7 kilometrash, midis Iranit dhe Omanit, përmes të cilit afërsisht një e pesta e naftës dhe gazit të lëngshëm natyror në botë ka qarkulluar lirshëm, pa pengesa dhe pa taksa”. Por siç shkruan Evropa e lire, “kjo epokë tani mund të ketë mbaruar”. Madje sipas mediumit në fjalë “korniza e armëpushimit thuhet se përfshin një dispozitë që i lejon si Iranit, ashtu edhe Omanit të mbledhin tarifa transiti nga anijet që kalojnë nëpër ngushticë” . Ndërkohë, analistë të ndryshëm kanë përmendur shifrën prej 2 milionë dollarësh që Irani do ta ndajë me Omanin për anijet transportuese të naftës qe do të detyroheb të paguajnë për shfrytëzimin e ngushticës.

Në këtë kontekst, nëse janë të vërteta këto pretendime, atëherë nuk ka dyshim se Garda Revolucionare e Iranit është dëmtuar skajshmërisht sa i përket arsenalit të saj ushtarak nga sulmet e SHBA-ve dhe Izrealit, por ajo e ka fituar një aset të rëndësishëm gjeoekonomik në duart e saj. Dhe ia ka shtuar vetës edhe një mjet të jashtëzakonshëm ekonomik.

Dhe po ashtu nëse i njihet kjo e drejtë Iranit, SHBA-te edhe në këtë rast sikur në disa luftëra, me theks të veçantë ajo në Vietnam, kanë humbur duke fituar.

Kjo nuk do të thotë se është dobësuar supermacia globale e SHBA-ve. Përkundrazi parametrat që ia garantojnë këtë pozicion mbesin të paprekura. Por ajo nuk ia ka dalur që si duhet ta projektojë globalisht pushtetin e saj. E kjo dobësi mund të jetë edhe pasojë e gabimeve të Presidentit Trump, që në vend të strukturave të specializuara diplomatike për një rajon të komplikuar sikur Lindja e Mesme, drejtimin e negociatave ia ka besuar mikut i tij nga sfera e biznesit Steve Witkoff si dhe dhëndëri i tij Jared Kushner, diçka e pa precedent në historinë diplomatike të SHBA-ve.