Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Ftesa për Trëndafilovën nuk i liron krerët e UÇK-së — vetëm prodhon zhurmë politike

Ftesa për Trëndafilovën nuk i liron krerët e UÇK-së — vetëm prodhon zhurmë politike

Shkruan: Basri Beka

Deputeti Artan Behrami paska vendosur ta “thërrasë në raportim” Ekaterina Trendafilovën në Komision të Kuvendit. Edhe pak, dhe ndoshta Kuvendi i Kosovës do t’i dërgojë ftesë edhe NATO-s për raportim pse bie shi në Prishtinë.

Kjo nuk është strategji për t’i ndihmuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara. Kjo është teatër politik për tituj portalesh dhe konsum mediatik.

Nëse vërtet do të donin të ndihmonin, atëherë Partia Demokratike e Kosovës dhe deputetët e saj do të merreshin me gjëra serioze:

– të financonin ekipet më të forta juridike ndërkombëtare;
– të angazhonin ekspertë të së drejtës penale ndërkombëtare;
– të lobonin në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës, si dhe të angazhonin organizata të auditimit financiar dhe të të drejtave të njeriut në Evropë e në qendrat perëndimore për të monitoruar standardet e procesit dhe paraburgimet e stërzgjatura;
– të ndërtonin dokumentim serioz historik dhe juridik për luftën çlirimtare;
– të krijonin unitet shtetëror, në vend të spektaklit partiak.

Por jo. Më lehtë është të luash rolin e revolucionarit në komision parlamentar, duke bërë ftesa simbolike ndaj një gjykate që nuk i jep llogari Kuvendit të Kosovës.

Lufta juridike fitohet me prova, strategji dhe diplomaci — jo me aktrim parlamentar për konsum mediatik.