Ende nuk është përzgjedhur stafi profesional vetanak që do të përgatiste ushqim për pjesëtarët e FSK-së. Por, merret vesh se tashmë është mbyllur konkursi, procedurat e të cilit parashihet të mbyllen brenda 45 ditësh.
“Nuk ekziston asnjë kontratë me operatorë ekonomikë për çështje të ushqimit që është e lidhur direkt me Ministrinë e Mbrojtjes si Autoritet Kontraktues. Është bërë e ditur disa herë se Ministria e Mbrojtjes është duke shfrytëzuar kontratat aktive të AQP-së deri në rekrutimin e stafit profesional të kuzhinierëve dhe stafit mbështetës, për pranimin e te cilëve veçse është mbyllur konkursi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes, për RTK.
E për “Sfidat e prokurimit për ushqimin e FSK-së”, Iniciativa për Progres (INPO) ka dalë me një raport.
INPO thotë se në raport është shqyrtuar ligjshmëria dhe efektiviteti i procedurave të ndjekura nga Ministria e Mbrojtjes gjatë viteve 2018-2024.
Sipas kësaj analize, janë nxjerrë në pah mungesa e transparencës, përdorimi i shpeshtë i procedurave të negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë, trajtimi jo i barabartë i operatorëve ekonomikë e probleme të tjera.
“Operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë nga ana e Ministrisë mbrojtjes ka qenë i papërgjegjshëm dhe në bazë të vendimeve të OSHP-së pasi që nuk e ka plotësuar një nga kriteret e parapara në dosje të tenderit. Kjo kontratë ka përfunduar në vitin 2023 dhe pamundësitë e Ministrisë së Mbrojtjes për të arritur një kontratë tjetër të rregullt kanë obliguar Ministrinë e Mbrojtjes që në emër të situatës emergjente t’i nënshkruaj edhe tre kontrata të tjera me anë të procedurë së negociuar me operatorin ekonomik, i cili veçse e ka pasur kontratën paraprake”, deklaron Arbër Kabashi, zyrtar monitorues në INPO.
Sipas analizës së INPO-s, një nga çështjet kryesore të identifikuara në këtë hulumtim është dhënia e kontratës për operatorin ekonomik të papërgjegjshëm dhe mosndërmarrja e masave të duhura ligjore ndaj dokumentacioneve të dyshimta.
“Ne kemi rekomanduar për Ministrinë e Mbrojtjes që në të ardhmen të ketë kujdes në hartimin e specifikimeve teknike në mënyrë që probleme të cila që çojnë deri te mos kontraktimi i një kontrate të mos ketë”, shton Kabashi.
Po ashtu, sipas analizës së INPO-s, përdorimi i situatave emergjente ka krijuar një mjedis që cenon konkurrencën e drejtë dhe favorizon operatorë të caktuar.