Forca e Sigurisë së Kosovës ka përmbyllë pjesëmarrjen e saj në Operacionin “Interflex” në Mbretërinë e Bashkuar.
Në një njoftim, FSK tha se ishte pjesë e këtij operacioni, i cili është në mbështetje të Ukrainës që nga fillimi i vitit 2024, duke dëshmuar “nivel të lartë profesionalizmi, përkushtimi dhe aftësish ushtarake”.
“Kontributi i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës është vlerësuar lart nga partnerët ndërkombëtarë, duke forcuar më tej reputacionin e Kosovës si një kontribuuese e besueshme në operacionet ndërkombëtare të sigurisë dhe në përpjekjet e përbashkëta për paqe e stabilitet”.
FSK tha se operacioni “Interflex” është një iniciativë shumëkombëshe e udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar, e cila ka për qëllim përgatitjen dhe trajnimin e forcave ushtarake ukrainase, me synim rritjen e kapaciteteve të tyre operacionale dhe gatishmërisë për mbrojtjen e vendit.