Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka shënuar një tjetër sukses ndërkombëtar, duke u dekoruar me Medaljen e Argjendtë në garën prestigjioze “Cambrian Patrol”, të organizuar nga Ushtria Britanike.
Në këtë garë marrin pjesë 118 ekipe, prej të cilave 35 janë ndërkombëtare nga 33 shtete të ndryshme të botës, ndërsa konsiderohet si një nga garat më të vështira ushtarake në botë.
Ekipi i FSK-së, që përfaqësoi Regjimentin e Dytë të Këmbësorisë nga Komanda e Forcave Tokësore, tregoi profesionalizëm dhe aftësi të jashtëzakonshme në përmbushjen e një sërë detyrash sfiduese – përgatitje taktike, operacione mjekësore, përballje me rreziqe CBRN, kalime pengesash ujore, zbulim të forcave armike, sulme taktike dhe menaxhim të situatave të burgosurve.