Kombëtarja e Shqipërisë zhvilloi sot (e hënë) seancën e parë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet miqësore që kuqezinjtë do t’i zhvillojnë gjatë këtij muaji.
Të besuarit e Sylvinhos do të luajnë dy miqësore luksi ndaj Kilit (22 mars) dhe Suedisë (25 mars) para fillimit të Euro 2024 që do të mbahet gjatë verës në Gjermani.
Risi në listën e 26 futbollistëve të ftuar nga përzgjedhësi Sylvinho në këtë grumbullim ishte Arbër Hoxha.
Hoxha i cili këtë sezon po luan tek Dinamo Zagrebi duke startuar pothuajse në të gjitha ndeshjet, ka gjetur golin në pesë raste si dhe ka kontribuar me një asistim.
Kjo ishte hera e parë që Arbër Hoxha merr ftesën nga Shqipëria dhe për këtë faqja zyrtare e FSHF-së ka bërë një postim duke i uruar mirëseardhje sulmuesit shqiptar.
“Mirë se erdhe Arbër Hoxha”, thuhej në postimin e FSHF-së në Facebook të cilin e shoqëruan me disa fotografi nga ndeshja e sotme.
Kjo do të jetë një mundësi e mirë për Hoxhën që të dëshmojë kualitetin e tij në sy të Sylvinhos dhe pse jo të marrë ftesën për Kampionatin Evropian.”/Telegrafi/