Nga Agron Hoti
Fshatrat në Kosovë ishin venbanimet ku vlonin fëmijët, vlonte rinia e bashkë me të edhe aktivitetet kulturore, artistike e sportive, pastaj vlonin bagëtia e bujqësia, thjeshtë kishte gjallëri në rrugë, kishte zhurmë e lëvizje pavarësisht vështirësive socio-ekonomike.
Ndërsa sot, nëpër shumicën e fshatrave ciu kush s’bën më, s’ka më as njerëz, as bagëti e as bujqësi. Janë shuar pothuajse të gjitha. Fshatrat më periferike tanimë s’kanë asnjë njeri në to. Ndërkohë, s’do të shkojnë 20 vite kur shtetit do t’i duhet t’i ndërpresë të gjitha shërbimet publike për shumicën e fshatrave, ngase ato do të boshatisen tërësisht siç po ndodh në tërë rajonin me Serbinë në krye të kresë që po i prinë rajonit me zhdukje të fshatrave nga harta e saj.
Tashmë, familjet e ngushta të fshatrave kanë dërguar djemtë dhe vajzat e tyre në gurbet dhe si të tilla janë shkëputur tërësisht nga jeta publike dhe politike, thjeshtë as që u ha më palla se kush është apo do të vijë në pushtet.
Këto familje që tanimë po përballen me vetminë si dukuri në rritje, tërë brengën e kanë te fëmijët e tyre në gurbet se a do të mund të ribashkohen ndonjëherë me ta për ta kaluar pjesën e ngelur të jetës, gjersa këto familje tanimë janë duke jetuar shumë mirë nga paratë e fëmijëve të tyre dhe s’përbëjnë më kurrfarë presioni social përballë asnjë qeverie. Thjeshtë, fshatrat nga vibrante që ishin deri dje, tanimë janë duke u përtharë.
Prandaj, partitë politike, të vetëdijshme për këtë avari kombëtare, tanimë e kanë zhvendosur fushatën elektorale në gurbet, sepse secila familje e fshatit në Kosovë ka mbi 80% të saj në gurbet. Mjerisht përçarjet e thella bashkë me kaosin politik që po e shoqëron përditshmërinë vetëm sa po i fryjnë edhe më shumë zbrazjes së frikshme të vendit.
Për mua është e pakuptueshme se si mërgata jonë po ua hap dyert fushatave elektorale duke mirëpritur partitë tona politike atje, kur dihet që njerëzia kanë ikur dhe po ikin me të madhe pikërisht nga mospuna e partive politike në Kosovë.
Personalisht do të ndihesha i turpëruar nëse do të kërkoja tubime elektorale në diasporë. Nuk e di se çfarë kanë për t’i thënë partitë tona politike diasporës sonë, kur kjo e fundit pikërisht nga mospuna e politikës sonë është detyruar të ikën jashtë vendit për të mos u kthyer më kurrë.
Humbja e zërit të arsyes në të gjitha drejtimet e mundshme bashkë me lulëzimin e antivlerave kanë krijuar psikozën e përgjithshme shoqërore në Kosovë se duhet ikur sa më shpejtë nga ky vend. Mjerisht, përtharja e një kombi s’duket fort ndryshe, na pëlqeu kjo apo jo.
Prishtinë, 9 shtator 2024
A.H.