Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Fryma e “Qerosit në botën e poshtme” që po e ndjek si fantazmë opozitën

Fryma e “Qerosit në botën e poshtme” që po e ndjek si fantazmë opozitën

Shkruan: Afrim Kasolli

Shumëkush ka mbetur i habitur këto ditë me vullnetin dhe gatishmërinë e partive opozitare për marrëveshje politike me partinë fituese të zgjedhjeve me qëllim krijimin e insitucioneve të reja të dalura nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.

Të njëjtët kishin qenë me refuzuese pas 9 shkurtit kur sado kudo e kanë pasur një pozicion më të mirë politik, sesa aktualisht kur Lëvizja Vetëvendosje as që ka nevojë për to, me përjashtim të temës së Presidentit. Kuptohet sipas arysetimit zyrtar kjo kthesë e befasishme e tyre ka te bëjë me motivin për t’i shmangur krizat permanente dhe për t’i ofruar vendit stabilitet politik.

Personalisht, gjykojë se kjo ofertë dhe gatishmëri e tyre, madje edhe para se të artikulohej nga Kurti, flet për diçka tjetër. Të njëjtat mbase kanë mundur të shpresojnë se me qasjen që kanë ndjekur deri më tani duke mos e sfiduar partinë në pushtet do të shperblehen politikisht nga qytetarët e Kosovës. Mirëpo, zgjedhjet e fundit treguan sesa iluzor ka qenë ky besim.

Prandaj, në vend të radikalizimit të qasjes opozitare për ta ndryshuar gjendjen ku kane rënë, ato tashmë janë bindur se rruga e vetme që u ka mbetur në dispozicion për t’u ringritur në lartësitë e Olimpit Politik, është rruga e marrëveshjes me Albin Kurtin, edhe pse sipas vetë tyre ky i fundit ka fituar në mënyrë jo legjitime.

Kjo frymë në shumëçka i ngjason universit mitologjik të “Qerosit në botën e poshtme” (për të cilën kam shkruar edhe herë tjera) që e ka trajtuar shkrimtari i ynë i njohur Ismail Kadare, në veprën e tij “Ftesë në Studio”.

Gjeniu ynë i letrave, me anë të këtij rrëfimi “sa të thjesht po aq madhështor” tregon për një “qeros që në një natë rrëzohet në një vrimë dhe bie në botën e poshtme” Ai fillimisht jeton në atë botë, por me kalimin e kohës e pushton malli për t’u rikthyer përsëri lartë. Mirëpo ky mision i duket i pamundur. Vërtitet kot andej këndej. Në fund një plak e këshillon se ç’duhet të bëjë. “Është një zhgabonjë” i thotë plaku “ që mund të të çojë atje, veçse rruga e ngjitjes është e largët dhe zhgabonja gjatë gjithë fluturimit duhet të ushqehet me mish” Qerosi pajtohet me kushtet dhe bën pakt me zhgabonjën. Fatkeqësisht fluturimi zgjat më shumë se ç’pandehej dhe mishi që e kishte rezervuar Qerosi mbaron. Kështu “Qerosi është i detyruar që të pres copa të mishit nga trupi i tij për ta ushqyer zhgabonjën, përndryshe ajo do ta lëshojë drejt skëterrës. Kjo përsëritet shume herë. Dhe kur Qerosi mbërrin në botën e sipërme mund të përfytyrohet se çka ndodhur, “ai nuk është veçse një skelet në krahët e një zhgabonje dhe njerëzit që e shikojnë këtë skelet thërrasin: shikoni një të vdekur në krahët e një shkabe”. Prandaj thotë Kadare, “është e vështirë të gjendet një strukturë më e përshtatshme për të dhënë dramën e njeriut që për t’u ngjitur nga fatkeqësia ku ka rënë është i gatshëm për gjithçka.

Mesazhi është i qartë; dëshira të tilla të ethshme për rikthim me çdo kusht nuk kane si të përfundojnë ndryshe. Mbase individë të opozitës mund edhe te kapen në majat e pushtetit nga kjo qasje e tyre për marrëveshje për hir të “stabilitetit”, por se opozites si tille do t’i mbetet vetëm skeleti nga ky pakt politik.