Shkruan: Afrim Kasolli
Dita e zgjedhjeve zakonisht në demokraci konsiderohet si dita e gjykimit. Atë ditë politikanët “heshtin” kurse populli vendos se kush duhet ta drejtojë shtetin në mandatin e ardhshëm. Pra politikanët shpërblehen ose ndëshkohen për (mos)punën e tyre.
Kuptohet, në këtë sferë ndikojnë edhe faktorë tjerë psikologjik dhe social. Sepse retorika, narracioni apo demagogjia, po ashtu janë një “armë” e rëndësishme politike në joshjen e opinionit publik. Pikërisht, pse demokracia është e cenueshme nga këto shpërfytyrime mendimtarët antike ishin pozicionuar kundër këtij regjimi politik. Ekzistojnë raste të shumta në histori kur demokracia ka vendosur ta vras vetveten. Shpeshherë qytetarët vendosin kundër interesave të tyre “tokësore” në këmbim të shpëtimit të premtuar “qiellor”. E siç ka thënë Holderlini “asgjë nuk e ka bërë më shume ferr tokën se sa premtimi për ta shndërruar atë në parajsë”.
Sidoqoftë, përtej këtij debati teorik, të gjitha partitë politike që bëhen pjesë e kësaj valle pretendojnë t’i fitojë zgjedhjet. Mirëpo, në një demokraci të duhur, liderët e subjekteve politike që dështojnë ta jetësojnë këtë synim marrin përgjegjësi. Pra, nëse nuk ia dalin ata largohen nga drejtimi i partisë dhe hapin rrugë për ndryshimet e brendshme.
Aktualisht në Kosovë drejtuesit e gjitha partive politike parlamentare janë zotuar se do ta dalin të parët në këtë garë. Mirëpo, përkundër këtij shtihimi publik, asnjëri prej liderëve të tyre nuk ka pranuar që të marr përgjegjësi nëse i humbin ato. Të premtojnë se do të japin dorëheqje për shkak të këtij dështimi eventual. Sepse si çdo kompetcion edhe zgjedhjet e 9 shkurtit në fund do të përfundojnë me humbës dhe fitues.
Prandaj, ky paradoks tregon ose frikën e tyre reale nga epilogu i ditës së gjykimit që ato mund ta kenë ose mungesën e përgjegjësisë politike.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje nëse e ruan përparësinë më partitë tjera politik opozitare, edhe nëse shënon rënie në përqindje, përsëri do ta interpretojë këtë bilanc si sukses politik. Ndërkohë, duke marrë parasysh autoritetin e tij absolut brenda subjektit që e drejton as që mund të pritet ndonjë kontestim i pushtetit të tij.
Në anën tjetër, nëse rezultatet e Partisë Demokratike të Kosovës do të jenë në shpërputhje me pritjet, kryetari i saj do të arsyetohet se nuk ka qenë në garë për kryeministër, por Bedri Hamza. Prandaj, “zemërgjerësia” e tij politike për t’i hapur rrugë të dytit, do të përdoret si kartë politike për shfajësim.
Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke marr parasysh gjendjen në të cilën e ka trashëguar në këtë parti, edhe nëse nuk i fiton zgjedhjet, të paktën ngritjen e saj eventuale do ta interpretojë si simbol të triumfit të tij personal. Kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë që nga ekzistimi është akomduar që të mos jetë asnjëherë fituese e zgjedhjeve në nivel nacional.
Në këtë kontekst ,mund të pritet që të gjithë humbësit real të këtyre zgjedhjeve ta shpallin vetën si fitues formal./tvarbëria/