Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Frika kombëtare po na vjen nga 1 shtatori

Frika kombëtare po na vjen nga 1 shtatori

Shkruan: Agron Hoti

Ka zëra që flasin që në shumë fshatra kodrinore që gjenden më në periferi të Kosovës në këtë shtator nuk është regjistruar as edhe një fëmijë i vetëm në klasë të parë. Shpopullimi i frikshëm që po ndodh nëpër fshatra është përtej çdo imagjinate. Mjerisht, si pushteti qendror ashtu edhe ai lokal po heshtin përballë kësaj problematike se mund të humbasin vota.

Përpos rënies së frikshme të numrit të fëmijëve në shkolla, shifrat janë shqetësuese edhe te ikja e mësimdhënësve. Në intervistën dhënë më 31 gusht 2025 në Info Magazinë të Klan Kosovës, Ymer Ymeri, nënkryetar i SBASHK-ut, ka treguar se vetëm në vitin shkollor 2024/2025 mbi 600 mësimdhënës kanë ikur nga Kosova. Paramendoni se sa mësimdhënës do të mund të ikin gjatë këtij viti shkollor 2025/2026, kur rritja e çmimit të energjisë dhe çmimeve tjera do të jenë vrastare për dimrin që po vjen. Paramendoni se sa profesori universitar është duke e braktisur Kosovën, sa mjeku e sa inxhinieri.

Paramendoni 10 vitet apo 15 vitet e ardhshme ku shumica e fshatrave të Kosovës nuk do të gëzohen fare, përkundrazi do të qajnë kur të vjen 1 shtatori, kjo për shkak se zilet shkollore do të shuhen përgjithmonë. Ndërkohë që kriza aktuale politike vetëm sa është duke e përshpejtuar shpopullimin e frikshëm të Kosovës. Mjerisht, ëndrra serbe e ruse për zbrazjen e trojeve shqiptare po realizohet para syve tanë, në të kaluarën nga terrori serb, kurse sot nga patriotizmi jonë i rremë.