Mbrëmë u hapën Lojërat Olimpike në Paris me një ceremoni që zgjati gati katër orë dhe francezët si organizatorë bënë një gabim të rëndë.
Kjo pasi kur u ngrit flamuri olimpik, shumë persona kanë vënë re se ai ishte kthyer përmbys dhe kështu ishte ngritur në shtizën e flamurit në qendër të Parisit.
Flamuri u soll në Trocadero nga një kalorës mbi një kalë, me të cilin ai kishte kalëruar më parë në Seine, ndërsa kishte veshur një mantel të zbukuruar me rrathët olimpik. Më pas flamuri është kthyer përmbys nga personat e ngarkuar për ngritjen e tij në shtizë.
Ishte momenti pak para ndezjes së flakës olimpike, e cila u performua nga sportistët e njohur francezë Marie-Jose Perec dhe Teddy Riner.
Videoja e ngritjes së flamurit përmbys u përhap shumë shpejt në rrjetet sociale dhe këtë mëngjes po shkruajnë shumë media botërore si Independent, Telegraph, Fox Sports e të tjera.
Kujtojmë se flamuri olimpik përbëhet nga pesë rrathë që simbolizojnë kontinentet me ngjyrat e tyre.
Ceremonia e hapjes ishte një spektakël katër-orësh në lumin Seine, në të cilin 85 varka transportuan pothuajse 7000 sportistë nga 205 vende.
Në mesin e këtyre atletëve ishin edhe garuesit nga Kosova, teksa vendi ynë do të përfaqësohet nga nëntë sportistë të cilët synojnë t’i sjellin Kosovës medalje