Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Franca paraqet propozim me shkrim për armëpushim mes Libanit e Izraelit

Franca paraqet propozim me shkrim për armëpushim mes Libanit e Izraelit

Franca i ka dërguar Libanit një propozim me shkrim me qëllim të përfundimit të armiqësive me Izraelin dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjes për kufirin mes dy vendeve, sipas një dokumenti që e ka parë agjencia “Reuters”, në të cilin bëhet thirrje për tërheqjen e luftëtarëve, përfshirë njësinë elite të Hezbollahut, 10 kilometra nga kufiri.

Me këtë plan synohet që t’u jepet fund luftimeve mes Hezbollahut të përkrahur nga Irani dhe Izraelit në zonën kufitare. Armiqësitë janë zhvilluar paralelisht me luftën në Gaza dhe po nxisin shqetësim për një ballafaqim të plotë e shkatërrues, raporton agjencia “Reuters”.

Dokumenti, propozimi i parë me shkrim që i është dorëzuar Bejrutit gjatë disa javëve të ndërmjetësimit perëndimor, iu dha javën e kaluar zyrtarëve të lartë shtetërorë libanezë, përfshirë kryeministrin Najib Mikati, nga ministri i Jashtëm i Francës, Stephane Sejourne, thanë katër zyrtarë të lartë libanezë e tre zyrtarë francezë.

Në dokument shpallet qëllimi i parandalimit të konfliktit “që rrezikon të dalë jashtë kontrollit” dhe zbatimi i “një armëpushimi të mundshëm, kur të jenë kushtet e duhura” dhe përfundimisht parashikohen bisedime për demarkacionin e kufirit të diskutueshëm tokësor mes Libanit dhe Izraelit.

Hezbollahu refuzon që të bisedojë zyrtarisht për ulje të tensioneve pa përfunduar paraprakisht lufta në Gaza, pozicion që është ritheksuar nga një politikan i këtij grupi si përgjigje ndaj pyetjeve për këtë artikull.

Përderisa disa hollësi të përpjekjeve të ngjashme të ndërmjetësimit nga emisari amerikan për Lindje të Mesme, Amos Hochstein, kanë qarkulluar javëve të fundit, hollësitë e plota të propozimit të shkruar francez nuk janë raportuar më parë.

Në planin me tre hapa parashikohet një proces 10-ditor i de-eskalimit, që përfundon me bisedimet për kufirin.

Një burim diplomatik francez tha se propozimi u është dorëzuar qeverive të Izraelit e Libanit si dhe Hezbollahut.

Franca ka lidhje historike me Libanin, ka 20 mijë qytetarë në këtë shtet dhe rreth 800 trupa si pjesë e një force paqeruajtëse të OKB-së.

“Ne bëmë propozime. Jemi në kontakt me amerikanët dhe është e rëndësishme që ne t’i bëjmë bashkë të gjitha nismat dhe ta ndërtojmë paqen” – tha të hënën në një konferencë për gazetarë kryediplomati francez.

Në planin francez propozohet që grupet e armatosura libaneze dhe Izraelit t’i ndërpresin operacionet ushtarake kundër njëri-tjetrit, përfshirë sulmet ajrore izraelite në Liban.

Gruupet e armatosura libaneze do t’i çmontonin të gjitha objektet afër kufirit dhe do t’i tërhiqnin forcat luftarake, përfshirë luftëtarët e njësisë elite të Hezbollahut, “Radwan”, dhe kapacitetet ushtarake si sistemet kundërtanke, të paktën 10 kilometra në veri të kufirit, thuhet në propozimin e Francës.

 

Powered by WordPress