![](https://www.arberia.tv/wp-content/uploads/2025/01/pdk-2025.gif)
Bashkimi Evropian nuk do t’i lejojë vendet e tjera që t’i sulmojnë kufijtë sovranë të bllokut, tha të mërkurën ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, duke iu përgjigjur komenteve të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, për marrjen e Grenlandës.
Të hënën, Trumpi refuzoi që ta përjashtonte veprimin ushtarak ose ekonomik si pjesë e dëshirës së tij që ShBA-ja t’i marrë nën kontroll Grenlandën dhe Kanalin e Panamasë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Kryediplomati francez tha se nuk beson që Shtetet e Bashkuara do ta pushtojnë ishullin e madh të Arktikut, i cili është pjesë e Danimarkës për më shumë se 600 vjet.
![](https://www.arberia.tv/wp-content/uploads/2025/01/ldk-2025-1.gif)
“Qartazi nuk ka dyshim se Bashkimi Evropian do të lejonte vende të tjera të botës që t’i sulmojnë kufijtë sovran të tij, kushdo që janë ata. Ne jemi një kontinent i fortë” – tha ministri francez.
“Nëse po më pyesni se a mendoj që Shtetet e Bashkuara do ta pushtojnë Grenlandën, përgjigjja ime është jo. Por nëse kemi hyrë në një periudhë kohore kur është mbijetesa e më të fortit? Atëherë përgjigjja ime është po” – shtoi ai.
Sipas kryediplomatit francez, Bashkimi Evropian nuk duhet ta lejojë veten që të frikësohet ose të shqetësohet tepër, por blloku duhet të zgjohet dhe të forcohet.
Kur u pyet në një konferencë për gazetarë në rezidencën e tij në Florida nëse do të mund ta siguronte botën nëse nuk do ta përdorte shtrëngimin ushtarak ose ekonomik, kur po mundohet që ta marrë kontrollin e Kanalit të Panamasë dhe Grenlandës, Trumpi tha: “Jo, nuk mund t’ju siguroj për asnjërën prej këtyre, por mund t’jua them këtë: na duhen ato për siguri ekonomike.”
Dy javë pa e marrë pushtetin, Trumpi ka filluar që të përvijojë një politikë të jashtme agresive me pak përfillje ndaj aspekteve diplomatike ose shqetësimeve të aleatëve të ShBA-së, shkruan agjencia “Reuters”.
Trumpi i kritikoi shpenzimet amerikane për mallra kanadeze dhe përkrahjen ushtarake për vendin fqinj, duke thënë se Shtetet e Bashkuara nuk sigurojnë përfitime nga këto veprime, ndërsa kufirin mes dy shteteve më të mëdha të Amerikës së Veriut e quajti “vijë e bërë në mënyrë artificiale”./Nacionale
![](https://www.arberia.tv/wp-content/uploads/2025/01/nisma-2025.gif)