Vapa e madhe që po mbretëron në Kosovë e ka shndërruar liqenin e Ujmanit, jo vetëm në një vend atraktiv për t’u freskuar nga qytetarët e Kosovës, por edhe në një destinacion për përfitime politike nga pushteti. Ndër më aktivët në këtë drejtim, pa dyshim se është veçuar, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Por dje thuajse i gjithë establishmenti kryesor i pushtetit zbarkoi tek ura e liqenit, ku u zhvillua performanca e kërcimit nga ura e notarëve për nder të policëve të rënë në detyrë. Të gjithë pa përjashtim u shprehën të lumtur dhe ngazëllyer nga ky aktivitet.
Mirëpo, siç duket të pushtuar nga entuziazmi për “çlirimin” e asaj pjese të Kosovës nuk u munguan as shkarjet logjike. Një fluturim të tillë nga realiteti e karakterizoi, ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Shvarc. Për të kjo garë ishte shfaqje simbolike e vendosmërisë se popullit për të mos e lejuar ndarjen. Sipas saj, të qëndrosh këtu dhe të shijosh bukurinë e liqenit, emocionet e qytetarëve të shumtë të pranishëm, dhe qëndresën e njerëzve tanë në veri, është një ndjenjë që të bën të besosh në fuqinë e pakrahasueshme të vendosmërisë sonë, qytetarëve tanë që nuk u dorëzuan kurrë, por qëndruan të palëkundur në besimin se Kosova është një dhe e pandarë, e të gjithë qytetarëve të saj, pa asnjë dallim” .
Sidoqoftë, pikërisht në mënyrë të tërthortë ajo e transmeton një mesazh kundërthënës, sepse e bënë Kosovën sikur të ishte ndarë, kur pohon se është “një dhe e pandarë”./TVArbëria/