Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Flamur Grabovci: Orbitreku është pajisja që i afrohet më së shumti notit

Flamur Grabovci: Orbitreku është pajisja që i afrohet më së shumti notit

Kampioni dhe trajneri i njohur, Flamur Grabovci, në një intervistë për emisionin “Erdhi Antigona” në TV Arbëria, ka folur për rëndësinë e ushtrimeve fizike, përdorimin e duhur të pajisjeve të fitnesit dhe mitet rreth humbjes së peshës.

Sipas Grabovcit, orbitreku është pajisja që i afrohet më së shumti notit, pasi gjatë ushtrimit aktivizohen njëkohësisht si duart ashtu edhe këmbët. Ai thekson se çdo ushtrim duhet të nisë me intensitet të lehtë.

“Gjithmonë është mirë me startu lehtë. Nxemja duhet të bëhet sa më e lehtë, me qëllim që muskujt të përgatiten për ushtrimet më të rënda dhe më efikase”, ka deklaruar Grabovci.

Ai shton se çdo pajisje ka funksionin dhe nivelin e vet, prandaj ushtrimet duhet të jenë të përshtatura sipas qëllimit të secilit individ. “Nëse dikush përgatitet për një maratonë, është e domosdoshme të ushtrojë në shiritin e vrapimit. Ndërsa nëse synimi është përgatitja për ngjitje në lartësi, ushtrimet në shkallë janë më të përshtatshme”, shpjegon ai.

Grabovci ka folur edhe për mitin e djersitjes si mënyrë për humbje peshe, duke theksuar se kjo teori nuk qëndron. “Për të humbur peshë nuk është e nevojshme të djersitesh shumë. Ky mit është i gabuar dhe përdoret prej më shumë se 20 vitesh. Sot kemi Google-in dhe mund të informohemi lehtë për metodat e sakta”, ka theksuar ai.

Sa i përket ushtrimeve me biçikletë, Grabovci rekomandon që ajo të lihet në fund të stërvitjes. “Biçikleta përdoret edhe për barkun, por shfrytëzohet edhe si alternativë për ata që nuk duan t’i lodhin gjunjët, në mënyrë që të shmangen dëmtimet”, shpjegon ai.

Në fund, Grabovci ka vlerësuar pozitivisht punën e federatës, duke theksuar rëndësinë e trajnimeve profesionale. “Federata jonë licencon trajnerë, na dërgon në seminare, marrim pjesë në gara dhe kemi mundësi të përfitojmë përvoja nga vende të ndryshme evropiane”, përfundon ai.

/TV ARBËRIA