Shkruan: Afrim Kasolli
Fjalimi vjetor i Presidentes Osmani, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, sot nuk ishte asgjë tjetër, pos një shfaqje ceremoniale mortore e fundit të aleancës së saj politike me Albin Kurtin. Ky tandem që dikur premtonin shpëtimin përfundimtar të Kosovës, po e përfundon raportin e tyre të dikurshëm idilik, më akuza të tërthorta e të hapura për ta mbrojtur shtetin nga rreziku që e paraqet njëri-tjetri për të. Natyrisht, kjo çarje e raporteve të tyre ka një histori me të gjatë, kurse ka filluar të kulmoi veçanërisht kohën e fundit. Dhe si e tillë ajo po përfundon si shumë “martesa” paraprake politike me një përpjekje që secila palë ta çnderojë publikisht partnerin si përgjegjës për “divorcin” e pashmangshëm.
Asgjë nuk e pasqyron këtë metamorfozë politike të Presidentes Osmani, se sa nëse krahasohet fjalimi i sotëm me të tjerë që ajo kishte mbajtur gjatë viteve të kaluara para deputetëve të Kuvendit të Kosoovës. Në secilën prej tyre ajo e kishte shpërfillur karakterin ceremonial të këtij akti, ku shefi i shtetit shpreh përkushtimin e tij për unitet politik. Në cilësinë e Presidentes ajo zotohej se kishte kaluar koha e “tregtarëve të kufijve”. Dhe se “regjimi i ri” ishte aty për ta mbrojtur integritetin territorial të shtetit nga ky rrezik. Kuptohet intenca e këtyre sulmeve drejtohej ndaj ish-Presidentit Thaçi dhe aludimeve se ai kishte negociuar dhe dialoguar një opsion të tillë.
E për dallim nga ky qëndrim, në fjalimin e saj të fundit ajo e vuri theksin te rrezikimi që po i ndodh shtetit nga shndërrimi i aleancave politike të Kosovës në lojë bixhozi. Pra sipas saj politika e Jashtme është shndërruar në një kazino ku ata që po defilojnë brenda saj, po nxiten për përfitime politike personale. Kështu, për të parën e shtetit, partneri i deritashëm politik është tjetërsuar në një aventurier duke i shkaktuar një dëm të pa riparueshëm mirëqenies së përbashkët familjare. Sepse, “forca e jonë më e madhe qëndron pikërisht në partneritetet tona. Aleanca mes shteteve janë më të mëdha e me të fuqishme sesa cilido prej nesh si politikan apo cilado palë zgjedhjes. Ato janë gurthemel i sukseseve tona dhe investim i një të ardhme ku Kosova do të jetë anëtar e barabartë në mes kombeve të lira, ato janë këtu për na të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre, lutja bixhoz me to apo cenimi i tyre e cenon vet mbrojtjen e Republikës tonë”, pohoi ndër të tjera Presidentja Osmani.
Ndër dallimet tjera vlen të veçohet fakti se kujt duhet t’i besojmë më shumë, nënshkrimit të presidentit të SHBA-ve, apo atij të Serbisë. Me këtë u nënkuptua, se për dallim nga Albin Kurti, që më shumë i beson të dytit se sa te parit, ajo ka qëndrim tjetër. Pra që edhe nëse lideri serb e saboton zbatimin e obligimeve që i ka marr, Kosova duhet ta gjejë rrugën që duke bashkëpunuar me partneret, në radhë të parë Uashingtonin, për ta zhbllokuar fatin e saj ndërkombëtar. Edhe pse ishte e njëjta që para katër viteve i ishte bashkuar korit kundërshtues ndaj një Marrëveshje të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në prezencë të Presidentit amerikan, Donlad Trump. Me një fjalë ajo sot u solidarizua me atë strategji që dikur për përfitime politike e kishte satanizuar.
Prandaj, edhe ky fjalim në fund morri edhe një frymë pendestare para opinionit, ku Presidentja me anë të këtij rrëfimi sikur kërkoi mirëkuptim për “mëkatet” e saj politike, duke kontribuar në forcimin e atij pushteti, ndaj të cilit sot po kërkon shpëtim. Ndërkohë, deputetë të LDK-së, u duk sikur janë të gatshëm ta ofrojnë këtë indulgjencë. A është ky solidaritet i çastit apo parapërgatitje për rikthim të saj në origjinë mbetet të shihet? Mirëpo, një gjë është e sigurt se ata që sot e drejtojnë LDK-në, vështirë se do t’i gëzonin këto pozita pa dëmtimin e kësaj partie nga Vjosa Osmani. /tvarbëria/