Mirlind Daku ka heshtur kritikat ndaj tij me një gol ndaj Polonisë, ku sulmuesi shënoi në stilin e një sulmuesi të vërtetë.
Duke folur pas ndeshjes, sulmuesi tha se ishte i bindur që do të gjente golin ndaj Polonisë, teksa pati edhe një dedikim special…
“Ka zot dhe e nderon njeriun e drejtë. Ato lot ishin vetëm për debutimin emocionues dhe jo për atë pasim të gabuar. Sot zoti më shpërbleu dhe arrita të shënoj atë gol”.
“Me golin që shënova, çdo e keqe që kisha brenda, doli jashtë. E kam pasur bindje që do të shënoja gol në Shqipëri, ndaj Polonisë dhe ia dola. Me këtë gol, më duket sikur largova një peshë 100-kilogramëshe nga vetja”, ka thënë Daku.
Ai ka thënë se më mirë që nuk shënoi në ndeshjen e parë, pasi një gol në Tiranën para tifozëve ka peshën ndryshe.
“Më mirë që nuk shënova në ndeshjen e parë, por në këtë takim, para tifozerisë së mrekullueshme shqiptare. Të gjithë më kanë mbështetur shumë dhe jam i lumtur që ua shpërbleva me këtë gol. Ndoshta u bëra nervozë të gjithëve me atë pasim në ndeshjen e parë, por besoj që e shpërbleva në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi Daku.
Në fundi ai golin ia dedikoi familjes dhe dëshmorëve që dhanë jetë në luftën e Kosovës.