I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, në një intervistë për Evropën e Lirë ka deklaruar se fjalën përfundimtare për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do ta kenë vetëm palët.
Lidhur me këtë çështje për TV Arbëria, ka folur deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj i cili tha se deklarata e Lajçak, mund të shihet si një mesazh për të theksuar se zgjidhja e qëndrueshme duhet të vijë nga vetë aktorët kryesorë, derisa shton se kjo nënkupton se vendimet përfundimtare nuk do të imponohen nga jashtë.
“Deklarata e Mirosllav Lajçakut, që fjalën përfundimtare për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e kanë vetëm palët, mund të shihet si një mesazh për të theksuar se zgjidhja e qëndrueshme duhet të vijë nga vetë aktorët kryesorë, pra Kosova dhe Serbia. Kjo mund të nënkuptojë se, megjithëse BE-ja dhe komuniteti ndërkombëtar do të vazhdojnë të lehtësojnë dhe mbështesin dialogun, vendimet përfundimtare nuk do të imponohen nga jashtë”, është shprehur ai.
Vendimin për dialog mes Kosovës dhe Serbisë ku Lajçak bëri të ditur se Bashkimi Evropian është vetëm ndihmëse për lehtësimin e saj, Lekaj e quan sfidë të madhe për Kosovën, pasiqë agjenda euro-atlantike e Kosovës është thellësisht e ndërlidhur me përparimin në dialog.
“Për Kosovën, kjo përbën një sfidë të madhe. Agjenda euro-atlantike e Kosovës është thellësisht e ndërlidhur me përparimin në dialog, dhe fakti që Serbia duhet të pajtohet për çdo zgjidhje përfundimtare mund të bëhet një pengesë serioze për stabilizimin dhe integrimin ndërkombëtar”, tha Lekaj.
Sipas tij, nëse Serbia vazhdon të mbajë qëndrime obstruktive, atëherë ka rrezik që Kosova të ngecë në procesin e saj të integrimit në BE dhe NATO.
“Nëse Serbia vazhdon të mbajë qëndrime obstruktive, atëherë ka rrezik që Kosova të ngecë në procesin e saj të integrimit në BE dhe NATO. Ndërkaq, pa një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët, mund të mbetet në një status të paqartë ndërkombëtar për një kohë të gjatë”, theksoi ai.
Tutje, Lekaj thotë se rreziku i vërtetë mbetet tek qëndrimi i palës serbe, që historikisht ka shmangur njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Nga ana tjetër, koncepti që vetëm Kosova dhe Serbia do të vendosin mund të ofrojë një hapësirë më të madhe për kreativitet dhe për një zgjidhje që i përshtatet realiteteve të terrenit. Por rreziku i vërtetë mbetet tek qëndrimi i palës serbe, që historikisht ka shmangur njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo e bën normalizimin një objektiv të vështirë dhe që kërkon një ndërhyrje më të vendosur nga aktorët ndërkombëtarë për të siguruar se dialogu do të sjellë rezultate konkrete”, përfundoi Lekaj. /tvarbëria/