Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Fjala ime për librin “Zhdukja e identiteteve” të Enis Reçica

Fjala ime për librin “Zhdukja e identiteteve” të Enis Reçica

Shkruan: Fadil Maloku

1. Libri publicistik i Enis Recices, anipse nuk mund te thuhet se është një libër me karakter tipik shkencor, është një përpjekje solide e një hulumtuesi dhe një kureshtari qe nuk rri indiferent ndaj proceseve dhe zhvillimeve qe aktualisht ndodhin ne disa nivele; ate global, kontinental, rajonal e lokal.

2. Vete titulli i vendosur nga autori, lexuesin e be shumë kureshtar edhe për faktin se çështja identitare ne proceset e globalizimit (nje procesi, miti, ndervarsie e tendence) është një temë mjaft interesante per tu studiuar e analizuar ne te gjitha dimensionet e veta. Them kështu edhe për shkakun se çështja identitare sot për sot ende po mbizotëron bindshëm në top listën e tematikave; politike, sociologjike e antropologjike.

3. Shkaqet duhet kërkuar padyshim tek “shkurorëzimi” me ideologjinë komuniste, e cila ka filluar qysh në vitet 90-ta, kur edhe fillon procesi i globalizmit. Ideologji kjo e cila në emër të “vetëvendosjes” se popujve dhe kombeve, bëri dëme të pariparueshme në emancipimin e tyre.

4. Tjetër, çështja e identiteteve (për vendet e tranzicionit) është e ndjeshme, është e nënkuptueshme dhe gjithsesi edhe e natyrshme edhe për faktin se ndikimet globale ushtrojnë heshtazi dhe në mënyrë të pahetueshme dozën e “presionit” nga të gjitha sferat e jetës: sociale, politike, ekonomike dhe asaj kulture. Një proces pra evident që sociologët e vendit duhet ta hulumtojnë pareshtur dhe në mënyrë sistematike në mënyrë që të kuptojnë jo vetë caqet e ndryshimeve por, edhe “rezistencën” eventuale që identitetet e bëjnë gjatë “etheve“ të procesit të tranzicionit.

5. Rekomandimet e autorit Enis Recica janë një shtesë inkurajuese e sugjerimeve për studiuesit e rinj lidhur me këtë proces. Sepse, Kosova si shoqëri e re dhe me potencial evident: demografik, ekonomik, social e kulturor nuk mund të mbetet indiferentë ndajë joshjeve e padyshim edhe detyrimeve për t’u anëtarësuar në mekanizmat rajonal dhe ato kontinental, edhe për faktin se ajo s’mund dhe s’bënë të mbetet oazë në gjitha këto synime integruese dhe globalizuese.

6. Çështja e diskutimit mbi identitetin, do thënë që në rastin tonë nuk është kuptuar dhe përdorur vetëm si trajtim që nënkupton raportin me traditën dhe trashëgiminë biologjike të grupeve të caktuara me prejardhje: etnike, politike, kulturore, etj, por, edhe si sistem vlerorë kulturorë, etnik, kombëtar, shtetërorë, politik, etj. pra një pluralizëm i mundësive për vlerat që krijojnë dhe i fuqizojnë grupet e ndryshme me kapacitete dhe me struktura heterogjene, vetitë që i posedon apo që pretendon t’i zotërojë një identitet shoqërorë. Tema identitare (qoftë ajo; sociale, politike, ekonomike, etnike, fetare apo edhe kulturore), sot në kohën tonë është çështja që më së shumti është duke i preokupuar sociologët lokal dhe ata global. Tematika identitare që e ka në fokus të interesimit dhe shqetësimit, publicisti Enis Reçica, nuk është as i rastësishëm e as pa rëndësishme për kohën kur po jetojmë.

7. Përkufizimi i asaj që shquhet si interes nacional, pakashumë ndër të gjithë popujt është identike, edhe me vetë faktin se ndërlidhet me kategorinë e shtetësisë apo botëkuptimit mbi të, dallimi qëndron vetëm në kundrimin e aspektit të realizimit apo mosrealizimit të tij në formë dhe përmbajtje. Modeli i shoqërisë shqiptare kosovare, ku projekti për realizimin e identitetit shtetëror qëndron ende pezull, edhe për shkak se ai jo që ende nuk është definuar e formësuar në kuptimin e tij politik, juridik e ekonomik, por as në atë territorial që për kohen, anipse është një hendikep i llojit të vet, deri diku e ka arsyetimin që ndërlidhet me agoninë e pasluftës dhe pengesat që edhe sot e kësaj dite është duke na i sjell Serbia.

8. Në aktualitetin e ri historik, në të cilin gjenden shqiptarët e Kosovës, kur nga ata edhe kategorikisht kërkohej të prolongohet çështja e definimit të identitetit të tyre shtetëror, pra, çështja e interesit vital kombëtar, për elitën e re politike dhe “prokurorët” akademikë përreth saj, imponohej jo më si detyrë shtëpiake obligative afatshkurtër, por si nevojë dhe domosdoshmëri historike.

9. Koncepti i identitetit nuk është ndonjë abstraksion jashtë dhe pavarësisht kushteve e rrethanave shoqërore, atëherë për të do të mund të flisnim si për një nocion i cili në kordinim me praktikën, individin, grupin p.sh.. komunitetin pakicë etnonacional, synimet e veta përpiqet t’i realizojë në mënyrë sa më optimale.

10. Ajo çka imponohet suksesivisht, kur është fjala për definimin e identitetit, padyshim është çështja e substancialitetit. Shtrohet pyetja çfarë në të vërtetë kuptojmë kur përmendim apo apostrofojmë këtë cilësi të identitetit. Substancialiteti, në të vërtetë, nënkupton para së gjithash rekomandimet të cilat kanë të bëjnë me bashkë raportet e individit dhe mënyrën e tij të jetesës dhe të shoqërizimit

11. Në sociologji, psh. zakonisht si elemente identifikuese për konceptin identitet përdoren apo konsumohen: gjuha, gjinia, tradita, religjioni, territori, etnopsikologjia dhe kultura e përbashkët, etj. Por, në literaturën e gjerë sociologjike, kur flitet për konceptin e identitetit, ekzistojnë edhe mendime të cilat e kontestojnë aryeshmërinë e shfrytëzimit të nocionit identitet, për të identifikuar vetëdijen kolektive.

12. Çdo shoqëri ka specifikat e veta zhvillimore, të cilat ose janë evidentuar nga historia, ose janë paragjykuar nga të tjerët (siç ka ndodhur shpeshherë bie fjala me shqiptarët e Kosovës në të kaluarën). Identiteti kombëtar është një fenomen kulturor, në të cilin marrin pjesë shumë agjentë shoqërorë e joshoqërorë. Ai, ngandonjëherë imponohet edhe si çështje mitike dhe çështje e lashtësisë, që në rastin e shqiptarëve sot projektohet si kujtesë e largët kolektive me pretendime të ruajtjes dhe kultivimit të tij me xhelozinë më të madhe. Këtë prejudikim tonin mendoj që më së miri e ilustrojnë luftërat e pareshtura gjatë historisë, duke provuar lloj- lloj perandorish dhe okupuesish mbi shpinën e tyre.

13. Do cekur se ndër shumicën e teoricienëve apo ekspertëve për çështje të proceseve te reja globalizuese mbretëron bindja se procesi i globalizimit është i pandalshëm edhe për shkak të procesit të natyrshëm të garimit të njeriut në sferën e prodhimit, krijimit të kapitalit dhe ekspansionit të komunikimeve masive mes njerëzve dhe shoqërive.

14. Andaj, libri i Enisit ani pse nuk e ka pretendimin e shtjellimit të gjitha këtyre dilemave dhe hamendjeve të kombeve dhe shteteve, prapëseprapë duhet përshëndetur dhe inkurajuar edhe për faktin se si brez i ri ka ambicien, entuziazmin po edhe interesimin që këtyre sfidave egzistenciale t’u jap një përgjigje qoftë edhe publicistike.

15. Uroj që në librat e tij mbi këto tematika të “lëshojnë” sa më thellë “sondën” eksploruese, ngaqë te Enisi, unë hetoj një interesim dhe mobilizim përkushtues për ti shndritur edhe me tej konglomeratet identitare shqiptare…

· Enisit, i dëshiroj sukses dhe e inkurajoj që të vazhdoj në këtë rrugë aspak të lehtë.

Themes by WordPress