Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > “Fitorja ndërkombëtare” e LDK-së

“Fitorja ndërkombëtare” e LDK-së

Shkruan: Afrim Kasolli

Ajo që po e veçon fushatën elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit mbetet edhe përkrahja e gjithnjë e më madhe që Lidhja Demokratike e Kosovës është duke marr edhe nga politika ndërkombëtare.

Kështu, gjatë ditës së djeshme mediumi i njohur gjerman “Capital Beat” i ka kushtuar një artikull të gjatë kandidaturës për kryeministër të Lumir Abdixhikut, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Sipas këtij artikulli, “Abdixhiku po pozicionohet si kandidati i stabilitetit dhe ndryshimit në një kohë kur Kosova po përballet me sfida të shumta politike dhe ekonomike. “Në një kohë kur Kosova ndodhet në një udhëkryq, një emër po përmendet gjithnjë e më shpesh në bisedat e qytetarëve, politikanëve dhe vëzhguesve ndërkombëtarë: Lumir Abdixhiku. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) është pozicionuar si kandidati i ndryshimit dhe synon të marrë postin e kryeministrit të Kosovës më 9 shkurt 2025.” – shkruan ndër tjerë ky medium.

Lavde të kësaj natyre pak a shumë ka thurur edhe gazeta tjetër germane “Berliner Zeitung”,. Ajo shkruan se ‘’Abdixhiku është shpresa e konservatorëve’’. Por, përpos mediave kësaj partie mbështetje janë duke i ofruar edhe figura politike. Deputeti i njohur i CDU-së, Peter Beyer, ka pohuar “Abdixhiku është një njeri me një vizion realist, ai e kupton që reformat strukturore janë të domosdoshme, duke u dalluar si një lider i ri, por njëkohësisht me përvojë dhe i sinqertë’’. Kurse, profesori gjerman Ulrich Schlie, ekspert ky, në çështjet e sigurisë dhe strategjisë në Universitetin e Bonit është shprehur se “për ta bërë perspektivën evropiane të Kosovës realitet në të ardhmen e afërt, nevojitën politikan që si Abdixhiku, i përkushtohen vlerave evropiane”.

Sidoqoftë, ky solidaritet ndërkombëtar për LDK-në është duke dominuar kryesisht nga bota gjermanisht folëse. Dhe nuk mund të mohohet fakti se një entuziazëm i tillë e kishte shoqëruar këtë botë fillimisht edhe për Lëvizjen Vetëvendosje me LDK-në dhe më pastaj me Listën Guxo. Gazeta e njohur gjermane, “Frankfurter Allgemeine Zeitung” për rastin e parë shkruante se qeveria e re simbolizon një fillim të ri në Kosovën, e cila është sunduar nga kusarët, të cilët konsiderohen të korruptuar. Sipas atij interpretimi, Kosova po e përjetonte një kthesë të madhe: për herë të parë pas tërheqjes së trupave serbe para më shumë se dy dekadave shteti më i ri i Europës do të qeveriset pa pjesëmarrjen e ish-kryengritësve të UÇK-së.

Kurse më vonë tandemi Kurti-Osmani ishin porterizuar si një çift mesianik për Kosovën me një detyre heroike të Herkulit, për ta nxjerr Kosovën nga “bataku i korrupsionit”. Se politikanë gjermanë e kishin përkrahur Kurtin e ka pranuar edhe deputeti tjetër i Bundestagut gjerman, Josip Juratoviq. Në një interviste për mediumin Nova.rs, ai kishte ka deklaruar se ishte “nga ata që e kishte përkrahur Albin Kurtin meqë ky i fundit i kishte premtuar thyerjen e koalicionit të luftës”.

Në këtë kontekst, kjo zhvendosje e politikës gjermane nga Albin Kurti drejt Lumir Abdixhikut tregon hapur për simpatitë e reja të këtij shteti. Tashmë ky i fundit është zëvendësuar më të parin. Mirëpo, ajo dëshmon edhe se megjithatë se krahu i luftës vazhdon ende të mos shihet si opsion për Berlinin zyrtar. Por vetëm ata liderë që nuk kanë bazë në këtë traditë mbesin të preferuarit e shtetit gjerman. Mbase edhe për shkak të afërsisë më të madhe të këtyre të fundit me amerikanët. /TV Arbëria