Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Fitorja më e madhe e PDK-së në këto zgjedhje lokale do të ishte humbja e saj në Drenas

Fitorja më e madhe e PDK-së në këto zgjedhje lokale do të ishte humbja e saj në Drenas

Shkruan: Afrim Kasolli

Ekzistojnë disa momente në politikë, kur një parti humb duke fituar si dhe fiton duke humbur. Një paradoks i tillë do të mund ta veçonte në zgjedhjet lokale të 12 tetori Partinë Demokratike të Kosovës. Në asnjë komunë ajo nuk do të mund të fitonte politikisht më shumë së sa në Drenas nëse këtë qytet e fiton Ramiz Lladrovci. I njëjti dje është certifikuar me nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me nismën e tij të pavarur, pasi Partia Demokratike e Kosovës e ka nominuar si kandidat të saj Petrit Hajdarin.

Aktualisht ky subjekt politik nuk ka ofruar asnjë argument demokratik për këtë ndërrim që nuk do ta bënte adekuat për ta përfaqësuar atë Ramiz Lladrovci. Natyrisht, nuk përjashtohet mundësia që fakte të tilla të dalin gjatë shtimit të adrenalinës elektorale. Mirëpo, deri atëherë ky vendim e ruan imazhin e një konspiracioni të brendshëm. Është përmendur vetëm pretendimi se kryetari aktual i Drenasit ka deklaruar se nuk ambicie për një mandat shtesë, dhe se e ka shkelur këtë zotim të tij. Por nëse ky është kriteri i vetëm për këtë përjashtim, ngjashëm kishte deklaruar përafërsisht edhe kandidati për kryetar të Komunës në Ferizaj, Agim Aliu.  Por për këtë të fundit nuk është përdorur i njëjti kriter.

Deri më tani ndër arsyet publike të zemërimit të strukturave drejtuese  të PDK më Ramiz Lladrvocin janë përmendur hasmëritë e tij më kryetarin e degës së Skenderajt, Sami Lushtuku, ky i fundit pohimeve të tilla i është përgjigjur vetëm një konstatim psikiatrik se i pari vuan nga sëmundja mendore. Supozim ky, që mund të jetë vetëm subjekt i trajtimeve profesionale psikiatrike. Po ashtu, ndonëse publikisht nuk është thënë, megjithatë gjoja as ish-liderët themeltarë të PDK-së Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nuk kanë qenë pro nominimit te tij, por se i njëjti i paska shantazhuar ata me disa incizime telefonike. Sa janë të vërteta këto spekulime nuk i di. Kurse vetë Ramiz Lladrovci e mohoi gjatë një interviste në RTK një skenar të tillë. Sidoqoftë, këto pretendime më shumë e dëmtojnë Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin se sa Ramiz Lladrovcin. Ngase e transmetojnë mesazhin se ata nuk i paskan marrë vendimet nga vullneti i tyre i lirë politik, por nga kushtëzimet.

Ndërkohë, nuk duhet harruar se vet Partia Demokratike e Kosovës sidomos gjatë këtij mandati në masë të madhe edhe vlerësimet e organizatave vendore dhe ndërkombëtare për punën e kryetarit të Drenasit i ka përdorur si trofe të shkollës së saj politike dhe qeverisëse, e cila me ta fituar pushtetin qendror do ta esktrapolojë atë.

Natyrisht, kjo parti ka të drejtë të bëjë ndryshime kadrovike edhe thjesht nga dëshira për ta freskuar vetveten. Mirëpo, një gjë e tillë nuk mund të bëhet në kundërshtim me parimet e demokratike. Sepse strukturat që marrin vendime të tilla duhet të kenë një legjitimitet të tillë. E pikërisht sot kjo i mungon PDK-së. Zgjedhjet e brendshme nuk janë mbajtur qe gjashtë vjet. Kurse strukturat aktuale janë ilegale. Konventa e mbajtur para pak dite ishte vetëm simulim i zgjedhjeve të brendshme. Kjo i bie sikur Albin Kurti të rizgjidhet kryeministër nga Kuvendi i mandatit të kaluar. Dhe pikërisht këto defekte e cenojnë atë që ka ndodhur në Drenas. Kjo edhe është arsyeja që kjo parti duke i humbur zgjedhjet lokale me 12 tetor në atë komune, do të fitonte tej mase në të ardhmen politikisht.

Përfundimisht do të përçohej mesazhi se vendimmarrja partiake nuk është privilegj i një klike të mbyllur, por duhet të ketë bazë të gjerë demokratike. Se tendenca për ta konservuar me çdo kusht pushtetin e brendshëm të së parës mund të rezultojë me humbje të jashtme qytetare. Dhe në këtë mënyrë do të hapej rruga e rithemelimit demokratik partiak.