Gjatë një muaji fushatë, ose më saktë që nga mos kandidimi i Ramiz Lladrocit për Drenas nga Partia Demokratike e Kosovës, është zhvilluar një “luftë” mes dy palëve, e veçanërisht edhe nga kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.
Por pas fitores pa balotazh të Ramiz Lladrovcit në Drenas, janë shtuar spekulimet për ndarjet brenda Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Kjo pasi kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, e ka uruar Lladrovcin për fitoren dhe e ka cilësuar atë një aset të rëndësishëm të partisë, ndërsa Memli Krasniqi ka pohuar se Ramiz Lladrovci nuk i takon më PDK-së duke thënë: “Ramiz Lladrovci është vetpërjashtuar nga PDK-ja në momentin kur ka themeluar parti të re”.
Në lidhje me këtë temë për TV Arberia, ka folur analisti politik Arbnor Sadiku, i cili ka theksuar se është e njohur që kryetarët e PDK-së në komuna, përveç disa përjashtimeve, mbështesin z. Hamza për kryetar të partisë, ndërsa kryesia aktuale mbështet Memli Krasniqin. Sadiku shtoi se këto divergjenca mund të zgjidhen nëse do të mbahen zgjedhje të reja brenda PDK-së, ku kandidatët e mundshëm si Krasniqi, Hamza dhe Aliu mund të garojnë dhe ai që fiton do të udhëheqë PDK-në me një kryesi të re dhe legjitime.
“Po dihet tashmë që kryetarët e PDK-së, në komuna, me ndonjë përjashtim mbështesin z. Hamza për kryetar të PDK-së, kurse, kryesia aktuale mbështet Memli Krasniqin. Këto divergjenca mund të zgjidhen nëse do mbaen zgjedhje të reja në PDK dhe kandidojnë z. Krasniqi, z. Hamza, si dhe z. Aliu, cili fiton le të udhëheq PDK-në me një kryesi të re e legjitime, e legale”, ka thënë Sadiku. /TV Arbëria