Faton Fetahu
Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka shpallur të paligjshme Rregulloren Nr. 01/2025 të Autoritetit të Aviacionit Civil – një nga aktet më të rëndësishme të këtij institucioni, që ndikon drejtpërdrejt në funksionimin dhe sigurinë kombëtare të vendit.
Kjo rregullore ishte miratuar pa bazë ligjore dhe në kundërshtim me parimet themelore të rendit juridik. Në emër të një grupi punonjësish të këtij institucioni, kemi paraqitur padi për kontrollin gjyqësor të këtij akti nënligjor, dhe sot kemi marrë konfirmimin më të lartë: Gjykata Supreme ka aprovuar në tërësi pretendimet tona dhe ka anuluar rregulloren.
Zbatimi i saj do të kishte prodhuar pasoja të rënda jo vetëm për paditësit, por për gjithë veprimtarinë e këtij institucioni të rëndësishëm shtetëror.
– Një tjetër standard i rëndësishëm juridik është vendosur:
Gjykata ka pranuar edhe pretendimin tonë për interpretimin e nenit 35 të Ligjit për Zyrtarët Publik (çështja e “Ushtruesit të detyrës”). Me këtë aktgjykim, u konfirmua se çdo vendim i marrë nga një ushtrues detyre, pas kalimit të afatit njëvjeçar, është i paligjshëm.
Ky standard godet një praktikë të dëmshme e të përhapur gjërësisht viteve të fundit – mbajtjen e pozitave kyçe në administratë përtej afateve ligjore, me persona të përzgjedhur politikisht e të varur nga vullneti i shefave të pushtetit. I tillë është edhe rasti i drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil, si dhe dhjetëra pozita të tjera drejtuese që ushtrohen sot në kundërshtim me ligjin.
Ky vendim është dëshmi e qartë se kontrolli gjyqësor i akteve nënligjore është themelor për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe për garantimin e funksionimit të drejtë të institucioneve publike.
Prandaj, Gjykata Supreme, në këtë rast, ka vendosur në favor të shtetit të së drejtës.