Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Fillon të dëgjohet dëshmitari i pestë në gjykimin kundër Pjetër Shalës

Fillon të dëgjohet dëshmitari i pestë në gjykimin kundër Pjetër Shalës

Ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të pestë i prokurorisë në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Në Dhomat e Specializuara në Hagë, nën betim, përmes video-lidhjes dëshmitari që mban numrin 10, ka folur për rolin e tij gjatë kohës sa ka qenë ushtar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, dëshmitari ka thënë se ka qenë ushtar i thjeshtë dhe ka bërë roje në shtabin e logjistikës në Kukës. Pjetër Shala po e ndjek këtë seancë nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.

Gjatë dëshmisë së tij në gjykimin kundër Pjetër Shalës, është paraqitur një skicë e shtabit të logjistikës, e cila nuk është shfaqur për publikun. ZPS ka kërkuar tri orë kohë për të intervistuar këtë dëshmitar.

Prokurorja: Dëshmitar, keni qenë ndonjëherë anëtar i UÇK-së?

Dëshmitari: Po.

Prokurorja: Kur jeni kyçur në UÇK?

Dëshmitari: Në vitin 1998, jam kyçur në Kukës.

Prokurorja: A e mbani mend në ç ‘muaj ka qenë kur jeni kyçur në UÇK?

Dëshmitari: Ka qenë ose mars ose prill.

Prokurorja: A mund të na shpjegoni se si ndodhi?”. Kurse, pas kësaj pyetje, seanca ka vijuar me përmbajtje të redaktuar.

Më tej, dëshmitari i pestë në gjykimin kundër Pjetër Shalës, ka thënë se ka qenë ushtar i thjeshtë në shtabin e logjistikës në Kukës.

Prokuroroja: Si shkuat në Kukës?

Dëshmitari: Me dy ushtarë kam shkuar.

Prokurorja: Ku të quan ata?

Dëshmitari: Në shtab të logjistikës në Kukës.

Prokurorja: Sa i takon kohës, a të kujtohet në qoftë se kjo ka ndodhur përpara apo pas bombardimeve të NATO-s?

Dëshmitari: Jo, ka qenë duke bombarduar.

Prokurorja: Në atë kohën kur u kyçet ju në UÇK, a e kuptova drejtë, që në atë kohë ndërkohë NATO vazhdonte me bombardime? Na thatë dhe i referohem këtu transkriptit të përkohshëm thatë që dy ushtarët të dërguan në shtabin e logjistikës, të Kukësit. A kishte një emër ky vend?

Dëshmitari: Sa e di unë vetëm shtab i logjistikës.

Prokurorja: Në çfarë njësiti të UÇK-së u kyçe ti?

Dëshmitari: Ushtar i thjeshtë”, ka vijuar dëshmitari në përgjigjet e tij.

Dëshmitari përmes video-lidhjes ka thënë se roli i tij në shtabin e logjistikës në Kukës ishte si ushtar i thjeshtë. Në pyetjet e prokurores për organizimin e ditës së tij, ka thënë se ai ka bërë roje.

Prokurorja: Çfarë detyrash kishte roja në shtabin e logjistikës në Kukës, çfarë bënte një roje në shtabin e përgjithshëm në Kukës?

Dëshmitari: Rujshëm, me ndërrime e kemi pasur.

Prokurorja: A kontrollonit ndonjë gjë konkrete ju si roje?

Dëshmitari: Po.

Prokurorja: Çfarë kontrollonit si roje?

Dëshmitari: Kamionët vinin, njerëzit vinin u dashke me i verifikuar, me ua lyp letërnjoftimet.

Prokurorja: A vishnit uniformë, ishit i veshur me uniformë kur ishit roje?

Dëshmitari: Po”, ka thënë dëshmitari me numër 10.

Prokurorja e ka pyetur dëshmitarin edhe për pamjen e selisë së shtabit të logjistikës në Kukës.

Seanca me dëgjimin e dëshmitarit të pestë të mbrojtur po vazhdon. Derisa Pjetër Shala po e ndjek atë nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.

Shala po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas prokurorisë “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

/TV Arbëria

Themes by WordPress