Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Fillon “gjuetia e shtrigave” në Partinë Demokratike pas humbjes së kandidates Kamala Harris

Fillon “gjuetia e shtrigave” në Partinë Demokratike pas humbjes së kandidates Kamala Harris

Përgatiti: Afrim Kasolli

Fitorja spektakulare e kandidatit të Partisë Republikane, ish-Presidentit Donald Trump, në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, si të votave popullore edhe atyre të Kolegjit Zgjedhor, ka shkaktuar në termet politik brenda kampit demokrat. Pas kësaj ngjarje traumatike zyrtarët më të lartë të kësaj partie janë venë në kërkim të fajtorit për këtë disfatë politike.

Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi e ka akuzuar drejtpërdrejtë Presidentin Joe Biden, për këtë rezultat. Ajo ka pohuar se demokratët do të kishin pasur rezultat me të mirë në zgjedhjet e së martës, sikur presidenti aktual dot ishte larguar me herët nga gara, shkruan BBC.

Peolosi një nga politikanet më të fuqishme në Uashington ka insistuar se sikur presidenti të ishte tërhequr nga gara para se të jetë vonë, Partia do të mund të gjete kandidat me të mirë në këtë garë.

Këto komente dhe akuza, vijnë në një kohe kur Partia Demokratike, jo  vetëm që e ka humbur Shtëpinë e Bardhë, por potencialisht edhe të dy dhomat e Kongresit.

Sipas mediave ndërkombëtare ajo i kishte prirë fushatës së demokratëve për ta larguar Presidentin Biden, i cili u tërhoq vetëm në fund të korrikut pas një presioni të brendshëm dhe perfomrancës së dobët në një debat televiziv kundër Donald Trump. Mirëpo, pas këtij akti e ai mbështeti hapur Zëvendës-Presidenten Kamala Harris. Por sipas këtyre zërave kritik sikur të ishin mbajtur zgjedhjet e brendshme partiake, ato që quhen si primare, atëherë do të dilnin në skenë një numër më i madh i kandidatëve.

Ndërkohë, një ish-ndihmës i Bidenit i ka thënë mediumit Politico, se  këshilltarët e ish-Presidentit Barack Obama ishin fajtorë, sepse ata i “ushqyen publikisht grindjet brenda Partisë Demokratike për ta shtyrë Joe Biden të largohej, dhe më pastaj nuk e donin as Kamala Harris si kandidate”.

Senatori i Pensilvanisë, John Fetterman, nga kjo parti i ka fajësuar për këtë humbje ata që planifikuan të largimin e presidentit Biden nga gara. Prandaj, ai u ka bërë thirrje atyre që të përballen me pasojat.

Kurse, kongresmeni Tom Suozzi, një politikan demokrat ky nga New York, ka pohuar se humbja në zgjedhje ishte pjesërisht edhe për shkak të fokusit të partisë në “të qenit politikisht korrekt”. Ai tha se partia kishte pasur vështirësi në kundërpërgjigjen ndaj sulmeve republikane mbi “anarkinë në kampuset universitare, heqjen e financimit për policinë, dhe një sulm të përgjithshëm ndaj vlerave tradicionale”.

E, Ritchie Torres, një tjetër kongresmen demokrat nga New York, e ka akuzuar “majtën ekstreme”. Sipas tij, radikalët brenda partisë kishin “arritur të largonin numra historikë të latinëve, njerëzve me ngjyrë, aziatikëve dhe hebrenjve nga Partia Demokratike.

Senatori i Pavarur Bernie Sanders, i cili kishte kandiduar për president si demokrat në 2016 dhe 2020, e ka akuzuar Partinë Demokratike për neglizhencën ndaj shtresës së punëtoreve.  Sipas tij “për sa kohë elita e Partisë Demokratike mbron status quo-në, populli amerikan është i zemëruar dhe dëshiron ndryshim, dhe ata kanë të drejtë”, pohoi ai. Ndërkaq, kryetari i Komitetit Kombëtar Demokrat, Jaime Harrison, deklaroi se akuzat e Sanders janë “thjesht një budallallëk”.

Sidoqoftë si në çdo garë edhe në këtë rast, humbësit pushtohen nga zemërimi, kurse fitimtarët nga ngazëllimi i triumfit. Prandaj, tashmë të parët kanë kohë për të analizuar shkaqet e disfatës, si dhe për të marrë masa për t’i korrigjuar ato, kurse të dytët për të shijuar frytet e fitores. /TV Arbëria

Powered by WordPress