Përplasjet politike mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë kanë marrë një tjetër formë të tensionuar pas Samitit të Bërdo-Brionit të mbajtur në Durrës, ku presidenti serb Aleksandar Vuçiq përdori tone ironike dhe nënçmuese ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Deklarata e tij ishte: “Imagjinoni kur Vjosa Osmani flet për integritetin territorial dhe mbrojtjen e tij — dhe barku të kthehet përmbys. Të gjithë të tjerët dëgjojnë, duke tundur kokën. Kështu që ne ia kujtuam ditët e saj ‘turistike’ në Kombet e Bashkuara dhe i uruam më shumë turizëm në jetën e saj, dhe kaq.”
Për të komentuar këtë retorikë dhe përplasjet verbale që po shfaqen gjithnjë më shpesh, Arbëria TV i është drejtuar ekspertit të sigurisë, Fidair Berisha.
“Kacafyetjet verbale në mes të presidentit Vuçiq dhe presidentes së Kosovës Vjosa Osmani janë diçka të pritura. Tashmë shihet se Vuçiq e ka humbur busollën, ai nuk po zgjedh fjalë, mënyrë e as mjete për të qëndruar në pushtet”, tha ai për Arbëria TV.
Berisha thotë se Vuçiq po përdor gjuhë të ulët për të ruajtur vëmendjen e elektoratit serb:
“Çdo veprim i tij, sado që nuk përkon me sjelljet e një burrshtetasi, ai për qëllime të tij puro personale – vetëm për të qenë në qendër të vëmendjes te qytetarët serb – po përdor gjuhë provokuese dhe nënçmuese ndaj Kosovës dhe krerëve kosovarë.”
Ai shton se në Durrës, presidentja Osmani reagoi në mënyrë të matur dhe të denjë ndaj komenteve të Vuçiqit:
“Fatkeqësisht edhe sot, pas samitit të Bërdo-Brionit në Durrës, Vuçiq e tregon nivelin e tij të ulët të komunikimit, duke menduar se po tallet me presidenten Vjosa Osmani. Mirëpo, presidentja në rastin konkret i përgjigjet në mënyrën e duhur ndaj gjuhës së tij provokuese.”
Eksperti i sigurisë thekson se Vuçiq po përpiqet të krijojë krizë të fabrikuar për të mbuluar pakënaqësitë e brendshme në Serbi:
“Bazuar në zhvillimet gjatë këtij viti në Serbi dhe duke parë situatën reale ku mbretëron pakënaqësi e madhe nga një pjesë të madhe e qytetarëve serb, është krejtësisht normale që Presidenti Vuçiq të taktizon me disa deklarime vetëm për t’u dukur kinse Serbia ka probleme me Kosovën dhe krerët shtetërorë në Kosovë.”
Këto zhvillime kanë marrë vëmendje edhe nga media të huaja, përfshirë IBNA, që ka raportuar për përplasjet publike mes dy presidentëve.