Federata e Futbollit të Kosovës do të kërkojë intervenimin e UEFA-së në lidhje me procesin e licencimit të saj që edhe më tutje nuk është përfunduar dhe për këtë e sheh MKRS-në si pengesë kryesore.
Në një komunikatë të lëshuar për media nga ana e kësaj federate ku shprehet shqetësimi për zhvillimin e garave ilegale serbë në territorin e Kosovës, FFK gjithashtu ka bërë të ditur se do të kërkojë intervenimin e UEFA-së në lidhje me procesin e licencimit si dhe zhvillimet e fundit nga organet e hetuesisë, siç kanë thënë ata, “kundrejt FFK-së”.
“Njëherësh shprehim shqetësimin tonë në lidhje me pengesat që i ka krijuar MKRS në lidhje me mos licencimin e FFK-së, përkundër plotësimit të dokumentacionit si dhe ndërhyrjet e vazhdueshme të fundit të organeve të hetuesisë në pavarësinë e FFK-së. Si duket pikërisht këto veprime të autoriteteve të Kosovës kundrejt pavarësisë së FFK-së i kanë trimëruar strukturat ilegale të Serbisë që të organizojnë aktivitete të futbollit në Kosovë. Lidhur me këto aktivitete ilegale e ndërhyrje direkte të Serbisë, si dhe procesin e licencimit dhe zhvillimet e fundit nga organet e hetuesisë kundrejt FFK-së, do të reagojmë dhe do të kërkojmë intervenimin e UEFA-s, gjatë takimeve që do t’i ketë delegacioni i Kosovës në Kongresin e radhës të UEFA-s që do të mbahet nesër në Lisbonë të Portugalisë.”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga FFK-ja.
/TV Arbëria