Profesori universitar, Arben Fetoshi, e konsideron të rëndësishme që shqiptarët në Luginën e Preshevës të jenë të unifikuar dhe të mobilizohen që të marrin pjesë masivisht në procesin e zgjedhjeve, në mënyrë që të sigurojnë një përfaqësim sa më të madh të mundshëm në Parlamentin e Serbisë.
Ai në një intervistë për KosovaPress konsideron se fushata zgjedhore për zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi rikonfirmon se politika serbe ka mbetur peng i së kaluarës, pasi pozita dhe opozita serbe kanë keqpërdorur sërish Kosovën për të nxitur mobilizimin e elektorateve me qëllim të përfitimit të sa më shumë votave.
Fetoshi thotë se mënyra e të bërit fushatë elektorale, dëshmon faktin se Serbia vazhdon me lojërat e vjetra, duke mos vepruar asgjë në kuadër të marrëdhënieve fqinjësore.
Fetoshi derisa potencon se faktori politik shqiptar në Serbi në të kaluarën ka qenë i ndarë, për çka thotë se kjo i ka kushtuar me përfaqësim minimal në parlamentin e Serbisë, u bëri thirrje shqiptarëve për mobilizim për t’iu përgjigjur procesit zgjedhor.
Profesori universitar shton se përgjigjja e sa më shumë votuesve shqiptarë në zgjedhjet e nesërme, do të ndikojë në përfaqësimin siç e quan ai sa më të madh të mundshëm në Parlamentin e Serbisë.
Fetoshi e përmend të rëndësishëm faktin se shqiptarët në Luginë të Preshevës të jenë të unifikuar. Ndërkaq, pavarësisht dëshirës për përfaqësim sa më të madh në Parlamentin e Serbisë, Fetoshi e konsideron pothuajse të pamundur, për shkak se siç thotë ai “nuk kemi një front politik të unifikuar të shqiptarëve, që do të garantojë përfaqësim sa më të madh”.
Në zgjedhjet parlamentare në Serbi do të marrin pjesë dy lista të shqiptarëve “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” që udhëhiqet nga Shaip Kamberi dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”, e cila udhëhiqet nga Shqipërim Arifi.
/TV Arbëria