Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Fetoshi: Serbia po zhvillon ofensivë të rrezikshme propagandistike përmes “incidenteve ndëretnike” në Kosovë

Fetoshi: Serbia po zhvillon ofensivë të rrezikshme propagandistike përmes “incidenteve ndëretnike” në Kosovë

Arben Fetoshi ka ngritur alarmin për atë që e cilëson si një ofensivë të koordinuar propagandistike të Serbisë, e cila, sipas tij, po synon të paraqesë Kosovën si vatër të “dhunës anti-serbe”, me qëllim të legjitimimit të ndërhyrjes së Beogradit dhe presionit ndaj bashkësisë ndërkombëtare.

Në një analizë të publikuar sot, Fetoshi thekson se Serbia po e kornizon çdo incident të izoluar si “incident etnik”, duke ndërtuar narrativën e “viktimizimit serb” dhe duke akuzuar institucionet e Kosovës për dhunë sistematike ndaj serbëve.

Sipas tij, reagimi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ndaj rastit të tre të rinjve serbë te Ura e Bistricës është shembull tipik i kësaj strategjie propagandistike. Kjo zyrë, ndër të tjera, e ka quajtur Policinë e Kosovës “parapolici” dhe “falanga të Kurtit”, duke e etiketuar pikën e kontrollit policor si “vend të keqtrajtimit dhe rrahjes së serbëve”, që sipas tyre “nuk do të duhej të ekzistonte në veri”.

Fetoshi vëren se narrativa eskalon edhe më tej me rastin e plagosjes së Dejan Simiqit dhe Radovan Millosheviqit në Deçan, të cilët, sipas pretendimeve serbe, janë sulmuar “vetëm pse ishin serbë”, ndonëse Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin dhe ka njoftuar se po i heton rrethanat e rastit.

“Në pak paragrafë, propaganda zyrtare serbe ndërton një ‘valë të re dhune ndaj gjithçkaje serbe’, të cilën ia atribuon ‘histerisë antiserbe të regjimit në Prishtinë’, duke kërkuar reagim urgjent të ndërkombëtarëve”, shkruan Fetoshi.

Ai paralajmëron se shprehje si “i kemi paralajmëruar ndërkombëtarët” përbëjnë, sipas tij, një formë shantazhi përmes ndjenjës së fajit, me nëntekstin e detyrimit për ndërhyrje – një qasje që, sipas Fetoshit, është parë edhe në rastin e sulmit në Banjskë në vitin 2023.

Sipas analizës, mediat propagandistike në Serbi luajnë rol kyç në këtë strategji, duke “raportuar” raste me burime të sajuara dhe duke përdorur etiketime të tilla si “shqiptarët qëlluan ndaj policisë serbe pranë Kurshumlisë”, për të justifikuar mobilizimin e forcave policore dhe ushtarake pranë kufirit me Kosovën.

Fetoshi thekson se ky agresivitet propagandistik duhet trajtuar si kërcënim serioz për sigurinë rajonale, veçanërisht në kontekstin e asaj që ai e quan “rrethim ndërkombëtar” të Serbisë.

“Përveç përpjekjes për kriminalizimin e Kosovës, Serbia po e përdor viktimizimin si instrument nxitës dhe si paravan për ndërhyrje. Me diskurs të militarizuar, nxitje të tensioneve etnike dhe koncentrim forcash në kufi, ajo po synon ta normalizojë strategjinë destabilizuese ndaj Kosovës”, përfundon Fetoshi.