Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Fetoshi: OKB është kthyer në teatër të absurdit, UNMIK-u duhet të mbyllet – i takon historisë

Fetoshi: OKB është kthyer në teatër të absurdit, UNMIK-u duhet të mbyllet – i takon historisë

Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka reaguar pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku temë diskutimi ishte Kosova, duke e cilësuar këtë organizatë si “teatër të absurdit”.

Në një shkrim të tij, Fetoshi ka vënë në pah rolin e Rusisë në krye të Këshillit dhe sjelljen e Serbisë, të cilën e ka quajtur “shtet që provokon destabilizim në veri dhe përdor komunitetin serb si armë”.

Ai ka cituar përfaqësuesin e ShBA-së, Jeff Bartos, i cili në mbledhje kërkoi mbylljen e misionit të UNMIK-ut, me arsyetimin se “nuk ka krizë sigurie në Kosovë dhe takime të tilla i dëmtojnë punët e rëndësishme që këshilli duhet t’i bëjë”.

Sipas Fetoshit, Këshilli i Sigurimit është kthyer në “forumin më grotesk të realitetit global kërcënues”, duke shtuar se “me Rusinë në krye dhe Serbinë anash, ky këshill është bërë fytyra morbide e krizës së OKB-së”.

Ai ka theksuar se UNMIK-u duhet të mbyllet, pasi “i takon historisë dhe është mbytur në korrupsion, nepotizëm e keqmenaxhim”, duke iu referuar raportimit të Inner City Press.

Fetoshi ka vlerësuar edhe paraqitjen e ministres së Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla, për “demaskimin e cinizmit të Serbisë” dhe mbrojtjen e pozicionit të Kosovës në krah të aleatëve perëndimorë.