Arben Fetoshi, ka reaguar pas kërcënimit të publikuar nga organizata “Brigada e Veriut”, duke e cilësuar atë si një akt me prapavijë destabilizuese dhe pjesë të operacioneve hibride kundër Kosovës.
Sipas Fetoshit, mesazhi i publikuar ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk duhet parë vetëm si një kërcënim individual, por si përpjekje për mobilizim radikal dhe krijim pasigurie në prag të zgjedhjeve të parakohshme.
“Sa të lindë agimi mbi Kosovë, Albin Kurti do të jetë i vdekur”, thuhet në mesazhin e organizatës, që sipas Fetoshit përbën komunikim strategjik me synim nxitjen e frikës dhe tensioneve politike e etnike.
Ai vlerëson se rishfaqja e një organizate të tillë, e cila kishte kohë që nuk ishte aktive në opinion publik, mund të interpretohet si tentativë për rikthim të frontit destabilizues në veri të vendit dhe ndikim emocional mbi komunitetin serb në Kosovë.
Fetoshi thekson se kërcënimi duhet të trajtohet si paralajmërim për ndërhyrje të mundshme nga Serbia para zgjedhjeve të 7 qershorit, me qëllim të ruajtjes së ndikimit mbi komunitetin serb dhe përdorimit të tij si instrument politik kundër shtetit të Kosovës.
Ai shton se rasti përbën një test serioz për institucionet e sigurisë dhe reagimin e bashkësisë ndërkombëtare ndaj kërcënimeve që cenojnë stabilitetin dhe integritetin zgjedhor në vend.