Avokati i PDK-së Faton Fetahu thotë se ka pasaktësi në aspektin e interpretimit të votimit të fshehtë si mënyrë votimi.
Megjithatë, sipas tij Kushtetuesja në Aktgjykimin e fundit tha se duhet të zbatoheshin praktikat e mëparshme parlamentare, e që sipas tij nënkuptonte të vazhdohej me votim të hapur.
“Kushtetuta fare nuk e rregullon mënyrën e votimit të kryetarit ose nënkryetarëve të Kuvendit, siç këtë e ka thënë edhe Gjykata Kushtetuese. Rrjedhimisht as votimi i hapur dhe as ai i fshehtë nuk është i ndaluar. Por Gjykata Kushtetuese tha meqenëse Rregullorja e përcakton një kre të veçantë për seancën konstituive dhe nuk e parasheh një mënyrë të tillë të votimit, le të zbatohet praktika e mëparshme për konstituimin e Kuvendit. Ajo ishte votimi i hapur”, tha Fetahu në ARB Debat me Ridin që transmetohet në TV Arbëria.