Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Festohet 25-vjetori i radios “Kosova e Lirë” e cila u bë këmbana e parë e lirisë

Festohet 25-vjetori i radios “Kosova e Lirë” e cila u bë këmbana e parë e lirisë

Ky ishte zëri që shoqëroi Kosovën me raportim në flakët e luftës për lirinë e bashkimin e atdheut.

Ky zë që u bë zëri më i ëmbël, më shpresëdhënës i popullatës shqiptare në Kosovë dhe jo vetëm, por në të gjitha viset shqiptare, sepse heronjtë e saj transmetonin fitoret çdo ditë e çdo minutë, duke dhënë lajme se Kosova po çlirohej nga bisha e tërbuar armike.

Në Berishë të komunës së Malishevës, aty ku filloi transmetimi i radios së parë në kohë të luftës, me 4 janar të vitit 1999, ekipi i radios festoi 25 – vjetorin e një medie të shquar shqiptare, një radio heroike që u themelua në atë kohë.

Folësi i parë i radios, Nusret Pllana tha se kushtet kanë qenë të vështira, por të funksionojë një radio e luftës për 6 muaj është shembull “suigeneris” në historinë e informacionit.

Radio Kosova e Lirë në radhë të parë u bë zëdhënëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u bë zëri i heronjve e i dëshmorëve, zëri i Komandantit Legjendar, Heroit të Popullit Adem Jashari, zëri i të gjithë dëshmorëve e heronjve.

/TV Arbëria

Powered by WordPress