Shqipëria ka arritur të mposht Poloninë në ndeshjen më të rëndësishme të Grupit E në kualifikueset për Kampionatin Evropian Euro 2024 me rezultat të pastër 2-0.
Ka qenë një ndeshje spektakolare në një atmosferë elektrizuese në ‘Air Albania’ që ishte stërmbushur nga tifozë shqiptarë të të gjitha trevave.
Shqipëria fitoi falë golave të Jasir Asanit dhe Mirlind Dakut, por edhe falë lojës Së jashtëzakonshme që bën në mesfushë dhe në mbrojtje.
Në fakt polakët nuk kanë treguar asgjë në këtë sfidë, përveç një goli të shënuar i cili u anulua pas rishikimit në VAR.
Fernando Santos konsiderohet si një trajner i madh pasi ka fituar Kampionatin Evropian dhe Ligën e Kombeve me Portugalinë, por ai e ka pranuar publikisht se Shqipëria ka zhvilluar një ndeshje në perfeksion.
“Më pëlqeu qëndrimi ynë. Goli i Kiwior do të kishte ndryshuar plotësisht ndeshjen, por në fund ai gol u anulua. Në momentin kur sfida ishte plotësisht e barabartë, ne humbëm pak forcën dhe ata shënuan një gol të mrekullueshëm”.
“Në pjesën e dytë ishim më të motivuar, më pëlqeu skuadra, megjithatë ishte e vështirë ndaj një Shqipërie që luajti në perfeksion”, tha Santos.
Megjithatë ai nuk e mendon dorëheqjen edhe pse është pyetur nga gazetarët polak. “Unë jam thjesht trajner. Kam fituar Evropianin e Ligën e Kombeve dhe tani sipas jush nuk po bëj asgjë? Kemi ende rrugë përpara dhe do të luajmë të gjitha shanset tona”, deklaroi Santos.
/TV Arbëria