Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, në emisionin N’PULT me Resim Morinën ka deklaruar se gjatë mandatit të tij Vushtrria ka pësuar ndryshime pozitive të dukshme, me theks të veçantë në infrastrukturë, arsim dhe zhvillim urban.
“Vushtrria ka pësuar ndryshime relativisht të mira. Është transformuar infrastruktura, janë bërë shumë investime si në qytet ashtu edhe në fshatrat përreth, në rrugë, kanalizim dhe ujësjellës,” tha Idrizi.
Ai theksoi se qyteti i Vushtrrisë ka hyrë në një fazë zhvillimi urban, me projekte madhore që janë drejt finalizimit.
“Po përfundon sheshi i qytetit, është ndërtuar parkingu nëntokësor dhe është zgjeruar tregu i gjelbër,” theksoi ai.
Ndër projektet kryesore të komunës, Idrizi veçoi edhe ndërtimin e një shkolle të re, e cila sipas tij synon të jetë shkollë model, dhe në të ardhmen e afërt pritet të implementohet edhe mësimi tërëditor aty.
“Kemi investuar shumë në të rinjtë e komunës, në zhvillimin e kapaciteteve të tyre, si dhe kemi ndarë bursa për studentët,” shtoi kryetari. /TV Arbëria