Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, në emisionin N’PULT ka deklaruar se komuna që ai drejton është ndër më të suksesshmet në realizimin e premtimeve, sipas matjeve të bëra nga institucionet e pavarura dhe kredibile.
“Po mendoj që kemi dalë mirë në realizimin e premtimeve, dhe këtë nuk e them vetëm unë, por e konfirmojnë edhe institucionet që kanë bërë matjet. Jemi ndër komunat që qëndrojmë më së miri në përmbushjen e zotimeve tona,” ka thënë Idrizi.
Ai theksoi se përkundër vështirësive financiare gjatë mandatit, komuna ka arritur të përmbushë edhe detyrime të trashëguara që kanë rënduar buxhetin vendor.
“Nga viti 2022 deri në vitin 2025 kemi paguar 8 milionë e 500 mijë euro për kontratën kolektive, një kontratë që është nënshkruar në mes Ministrisë së Arsimit gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj në njërën anë, dhe sindikatës së arsimit në anën tjetër,” shpjegoi Idrizi.
Sipas tij, edhe pse ky obligim nuk ishte përmbushur nga vetë Ministria e Arsimit, shuma është marrë nga komunat përmes përmbaruesve, duke përfshirë edhe Komunën e Vushtrrisë.
“…e që nuk është përmbush nga ministria e arsimit kështu që këto mjete u janë marrë komunave jo vetëm komunës së vushtrrisë por të gjithë komunave përmes përmbaruesit” theksoi Idrizi.