FBI-ja ka njoftuar të premten se kishte penguar një komplot për të sulmuar një dyqan ushqimor në Karolinën e Veriut gjatë natës së Vitit të Ri, duke arrestuar një burrë që zyrtarët thanë se ishte i frymëzuar nga grupi i Shtetit Islamik dhe i lidhur me militantë ekstremistë.
Christian Sturdivant, 18 vjeç, u akuzua për përpjekje për të ofruar mbështetje materiale për një organizatë terroriste të huaj. Ai u arrestua nga agjentët të mërkurën.
Në deklaratën e FBI-së thuhej se Sturdivant ishte nën hetim që nga muaji i kaluar, pas informacionit se një llogari e përdorur në internet kishte bërë postime mbështetëse ndaj Shtetit Islamik, të cilat më vonë u lidhën me të arrestuarin.
Sipas FBI-së, Sturdivant ishte nën vëzhgim që nga viti 2022, kur ishte ende i mitur. Zyrtarët thanë se kishin zbuluar se ai kishte qenë në kontakt me pjesëtarë të Shtetit Islamik në Evropë dhe kishte marrë udhëzime për t’u veshur me të zeza dhe për të kryer sulme me një çekiç.