Ish-shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë, Fatos Klosi, ka folur për zhvillimet në Kosovë dhe marrëdhëniet me Serbinë, duke theksuar se zgjidhja e qëndrueshme mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit me aleatët perëndimorë. Komentet i bëri në emisionin ARB Debat në televizionin Arberia TV.
Duke iu referuar një deklarate të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Klosi tha:
“Vuçiq ka thënë njëherë për t’u justifikuar para popullit serb: ‘Nuk kam çfarë t’i bëj kosovarëve, ata kanë një mik të madh’, kishte fjalën për Amerikën sigurisht.”
Sipas Klosit, si në Serbi ashtu edhe në Kosovë, palët janë të interesuara të ruajnë imazhin politik brenda vendit:
“Të dy palët, sipas meje, po kërkojnë vota secili në vendin e tyre. Vuçiq sigurisht që ka vështirësi me serbët që nuk e pranojnë që Kosova nuk është më pjesë e tyre, ndërkohë edhe këndej po bëhet pak propagandë edhe në Kosovë.”
Ai theksoi rëndësinë e partneritetit me vendet që ndihmuan çlirimin dhe ndërtimin e Kosovës si shtet:
“Na kanë ndihmuar i gjithë Perëndimi, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglia dhe të gjitha vendet. Me ndihmën e Perëndimit e çliruam Kosovën.”
Në këtë kuadër, Klosi vlerësoi se kërkesat e aleatëve për marrëveshje nuk duhet parë si trysni, por si rrugë për stabilitet dhe njohje të plotë:
“Perëndimi ka kërkuar që marrëveshja të bëhet më kollaj dhe disa lëshime duhet bërë, dhe lëshimet janë të natyrshme. Nuk pretendohet ndonjë lëshim i madh, por në ato komuna me shumicë serbe të ketë njëfarë autonomie, sigurisht në kuadër të shtetit të Republikës së Kosovës.”
Sipas tij, kjo është rruga e vetme për të përmbyllur shtetndërtimin e Kosovës:
“Nëse duam të arrijmë këtë, na duhet ndihma e tyre – prandaj duhet t’i dëgjojmë. Kjo është ideja.”
Në fund, Klosi paralajmëroi për sfidat gjeopolitike në rajon dhe ndikimin rus në Ballkan:
“Ballkani sot është shumë i rëndësishëm për të gjithë. Dihen pretendimet ruse, dhe Serbia sigurisht që është një aleat i Rusisë, një kundërshtar i Perëndimit. Por edhe Serbia po përpiqet të mbajë marrëdhënie të mira me të dyja palët, prandaj edhe Perëndimi po mundohet ta tërheqë andej. Kështu që edhe këtë gjë duhet ta kemi parasysh”.