Faton Ramadani u ka bërë thirrje publike deputetëve Fadil Demaku dhe Altin Krasniqi që të marrin iniciativën për ta trajtuar në Kuvendin e Kosovës rastin Kiqina–Ramadani.
Në reagimin e tij, Ramadani ka thënë se familja, pas 24 vitesh, vazhdon të kërkojë zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa ka ngritur pretendime për prova që, sipas tij, nuk ishin trajtuar më herët nga institucionet e drejtësisë.
Ai ka bërë të ditur se, pas një procesi tetëmujor, familja ka arritur ta sigurojë lëndën përmes kërkesave drejtuar Prokurorisë Speciale dhe Agjencisë për Informim dhe Privatësi, duke përmendur edhe dëshminë e EULEX-it për kthimin e dosjes me 24 folderë në Prokurorinë Speciale.
Sipas Ramadanit, në dosje kanë gjetur prova që ngrenë pikëpyetje për mënyrën se si është trajtuar rasti, përfshirë strishot që më parë ishin deklaruar të humbura, të dhëna për gjatësinë e personave të përfshirë dhe raporte fillestare ku, sipas tij, më vonë janë ndryshuar emrat e personave.
Ramadani ka kërkuar përgjigje se si janë gjetur këto prova pas kaq shumë vitesh dhe pse, sipas tij, familja ende përballet me pengesa në përpjekjet për zbardhjen e së vërtetës.
Ai u ka dhënë shtatë ditë kohë deputetëve Demaku dhe Krasniqi që të shprehin vullnetin për ta iniciuar debatimin e rastit në Kuvend, duke paralajmëruar se, në të kundërtën, do t’u drejtohet deputetëve të tjerë.
“24 vite janë shumë. E vërteta nuk mund të mbahet e fshehur përgjithmonë!”, ka shkruar Ramadani.