Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se procesi zgjedhor është një obligim themelor demokratik dhe një mundësi e rëndësishme për komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët. Këto komente Limaj i bëri gjatë një interviste në emisionin “ARB DEBAT”, në Arbëria TV.
“Procesi zgjedhor është një obligim zgjedhor, obligim fundamental i demokracisë, i funksionit demokratik të shtetit siç jemi na,” theksoi Limaj, duke shtuar se komunikimi i rregullt me qytetarët dhe shtresat e ndryshme të shoqërisë është kyç për ndërtimin e një platforme politike që u përgjigjet realisht nevojave të tyre.
Ai vlerësoi se aktualisht në Kosovë po vërehet një klimë e zbehur dhe e ngarkuar me pakënaqësi, e cila reflektohet drejtpërdrejt në kontaktin me qytetarët:
“Është një situatë e përgjithshme në Kosovë, e zbehur. Ka një pakënaqësi të shtrirë… ndonjëherë mund të them edhe pesimiste. Jeta është vështirësuar.”
Limaj theksoi se vendi po përballet me sfida serioze, që përfshijnë zhvillimin ekonomik, migrimin dhe mungesën e përkujdesjes për të moshuarit, veçanërisht në nivel lokal.
“Kosova dhe institucionet e saja duhet me u përgatit me sfidat e reja që ne po i shohim… Duhet urgjent me marrë masa,” apeloi ai, duke theksuar nevojën për përshtatje të institucioneve lokale dhe qendrore me realitetin e ri shoqëror.
Sipas tij, jeta sociale dhe struktura e nevojave të qytetarëve ka ndryshuar me shpejtësi, dhe kjo kërkon qasje të reja dhe më efektive në politikë dhe qeverisje.
“Niveli lokal dhe qendror duhet të përshtaten. Duhet t’iu përgjigjen kërkesave të njerëzve,” përfundoi Limaj, duke nënvizuar rëndësinë e këtij procesi zgjedhor si një mundësi për ndryshim dhe adresim të sfidave reale me të cilat përballet Kosova.