Kandidati për kryetar të komunës së Malishevës nga radhët e LDK-së, Fatmir Ademaj, ka qenë i ftuar në emisionin N’Pult në TV Arbëria. Ai ka folur rreth zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Ai ka deklaruar se për këto katër vite të bashkëqeverisjes me Nismën në komunën e Malishevës, merita e projekteve ka qenë edhe e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ademaj thekson se LDK-ja nuk ka hyrë në koalicion në Asamblenë e kësaj komune për interesa partiake, por për t’iu dhënë zgjidhje problemeve.
“LDK nuk ka hyrë në koalicion për interesa partiake, ka hyrë për t’i dhënë zgjidhje problemeve të cilat janë akumuluar për shumë vite. Nisma ka qeverisur për 8 vjet dhe ky ndryshim nuk ka ndodhur me Nismën, PDK-ja ka qeverisur për 8 vjet dhe ky ndryshim nuk ka ndodhur me PDK-në. Impakti ose fuqia e Lidhjes Demokratike në realizimin e projekteve ka qenë evidente,” ka thënë Ademaj.
Sipas tij, për këto katër vjet, sukseset e komunës së Malishevës me qeverisjen në krye me Nismën socialdemokrate janë të përbashkëta edhe me LDK-në.
“Alternativën për këto katër vjet në bashkëqeverisje e kam dhënë, dhe bashkarisht e kemi arritur këtë që është sot në Malishevë”. /TV Arbëria