Shkruan: Afrim Kasolli
Shumëkush do të mund të kritikojë për këtë titull. Për guximin e tepruar për ta etiketuar në këtë mënyrë presidentin e SHBA-ve, partnerit kryesor strategjik të shtetit të Kosovës. Se me këtë qasje e kam riprodhuar publikisht një qëndrim anti-shtetëror të kryeministrit Kurti, kur kohë më parë, e kishte cilësuar si naiv ,ish-Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Mirëpo, këtu duhet qartësuar pozicionin se nuk është fjala për asnjë kualifikim psikologjik dhe patologjik. Por për një sjellje shtetëror e cila definohet sipas doktrinës së njohur politike të të “çmendurit” (Madman Theory), për ta ndryshuar botën dhe për siguruar përfitime strategjike shtetërore. Pra kur drejtuesi i shtetit e luan dhe inskenon funksionin e një të “marri” me qëllim të realizimit të përfitimeve të projektuara politike dhe ekonomike.
Në këtë drejtim, analistë të ndryshëm ndërkombëtarë, kanë vënë pah se si presidenti Trump e ka shndërruar këtë skemë në një aset strategjik në politiken e jashtme. Kështu, Allan Little në shkrimin “How Trump is using the ‘Madman Theory’ to try to change the world (and it’s working)” i ka analizuar disa nga qëndrimet kontradiktore të drejtuesit të Shtëpisë së Bardhë nën prizmin e këtij qëndrimi teorik. Me këtë rast i pyetur muajin e kaluar nëse po planifikonte që t’i bashkohej Izraelit në sulmin kundër Iranit, i njëjti kishte thënë se “mund ta bëjë këtë, por edhe mund të mos e bëje, pra askush nuk e di se çfarë kam në mendje” Në këtë mënyrë ai po e inauguron atë model; ku gjëja më paparashikueshme në lidhje me Trumpin është paparashkiueshmëria e tij. Ai ndryshon mendje. Bie në kundërshtim me vetveten. Dhe nuk ka një vizion koherent publik. Rrjedhimisht, sipas të njëjtit autor, “tashmë Presidenti Trump e ka bërë paparashikueshmërinë e tij në një aset kyç strategjik dhe politik. Ai e ka ngritur paparashikueshmërinë në statusin e një doktrine. Dhe tipari i personalitetit që ai solli në Shtëpinë e Bardhë po nxit politikën e jashtme dhe të sigurisë. Po e ndryshon botën”.
Për më shumë një qasje e tillë nuk është e re në politikën e jashtme të SHBA-ve. Thuhet se në vitin 1968 ish-presidenti i SHBA-ve, Richard Nixon gjatë negociatave për përfundimin e luftës në Vietnam, i kishte thënë këshilltarit të tij për Sigurinë Kombëtare, Henry Kissinger, se “duhej t’u thoshte palës së Vietnamit të Veriut se Nixoni është i çmendur dhe nuk e di çfarë do të bëjë, kështu që më mirë të arrihet një marrëveshje përpara se gjërat të bëhen shumë keq”. Pra thjesht është kjo “teoria e të çmendurit”.
Natyrisht studiues të ndryshëm kanë argumentuar edhe mbi dobësitë dhe kufizimet e kësaj doktrine. Roseanne McManus në shkrimin “The Limits of the Madman Theory” kanë argumentuar se një qasje e tillë ka gjasa më shumë që ta dëmtojë politikën e jashtme amerikane, se sa ta ndihmojë atë. Mirëpo, dilema i të tilla takojnë një niveli tjetër.
Për Kosovën e është e rëndësishme se si duhet të orientohet në këtë realitet të ri strategjik. Disa herë Presidenti Trump, kohën e fundit e ka përmendur edhe shtetin e tonë në kontekst të raporteve me Serbinë. Madje edhe se jo më shumë se para tri jave e ka ndalur një luftë të mundshme ndërmjet dy vendeve. Pohime këto që u konfirmuan edhe nga presidentja Vjosa Osmani.
Ndërkohë, është paraparë që shumë shpejt zyrtari i latë i Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan, do të nisë një vizitë në Kosovë dhe dy vende tjera të Ballkanit, Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë. Një dëshmi kjo rikoncentrimit gradual të vëmendjes së kësaj administrate edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Duke mos përjashtuar as skenarin e rikthimit të ndonjë marrëveshje eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre, sikur ajo e formatit të Marrëveshjes së Uashingtonit të shtatorit të vitit 2020. Parapërgatitja politike për një situatë të tillë “hipotetike” është detyrë shtetërore strategjike. Në fund të fundit, Kosova ende nuk ka arritur ta finalizojë ndërkombëtarisht procesin e shtetësisë së saj. Dhe se një gjë e tillë është iluzion të mendohet se mund të arrihet pa vulën përfundimtare të SHBA-ve. E, këtu më së paku duhet të ketë vend për paparashikueshmëri, të paktën nga ana e Kosovës. /TV Arbëria