Shkruan: Afrim Kasolli
Autoritetet shtetërore iraniane njoftuan opinionin se presidenti i vendit Ebrahim Raisi, dhe ministri i punëve të Jashtme Hossein Amir-Abdollahian, kanë gjetur vdekjen, së bashku me disa zyrtarë tjerë, si pasojë e rrëzimit të helikopterit presidencial në afërsi të qytetit të Tabriz-it në veri perëndim të vendit.
Kjo vdekje vjen në një kohë kur regjimi teokratik po përballet më një sërë sfidash të jashtme dhe të brendshme.
Lideri Suprem i Iranit, pak pasi u bë e ditur për aksidentin, megjithëse nuk dihej ende për fatin e të parit të shtetit, deklaroi se nuk do të ketë asnjë anomali në funksionimin e shtetit. Dhe se regjimi do të mbijetojë.
Siç dihet, sipas normave kushtetuese në Iran, në rast se presidenti vdes apo nuk është në gjendje t’i ushtrojë detyrat shtetërore, këtë funksion e kryen zv. presidenti, në këtë rast, Mohammad Mokhber, deri sa të përgatiten zgjedhjet reja.
Mirëpo, shtrohet pyetja se a do te jetë në gjendje regjimi në fjalë që politikisht ta mbijetojë këtë “traumë”kolektive. Ebrahim Raisi, kishte kohë që shihej nga të gjithë si trashëgimtari i mundshëm i drejtuesit 85 vjeçar suprem Ayatollah Ali Khamenei. Dhe kjo humbje ngjarje pa mëdyshje ka lënë një vakum politik. Situata ndërlikohet edhe më shumë kurë marrim parasysh faktin, se në këtë aksident vdekjen e ka gjetur edhe ministri i Punëve të Jashtme Hodein Amir-Abdollahian. Sipas gazetës britanike “The Guardian” vendin e tij pritet ta zë Ali Bagheri, por eksponentë të linjës së ashpër kanë dilema se do të jetë ai i gatshëm për të negociuaur me shtetet perëndimore mo programin bërthamor të Iranit. Por ashtu, ai ishte konsideruar si njëri nga apologjetët më të njohur të asaj që quhet si “aksi i rezistencës” një politikë kjo që ka për qëllim minimin e ndikimit të SHBA-ve në Lindje të Mesme, si pjesë e një makro-plani strategjik, që së bashku me Rusinë dhe Kinën për t’i hapur rrugë revizionizmit gjeopolitik të rendit botëror të drejtuar dhe mirëmbajtur nga Uashingtoni. Gjatë karrierës së gjatë diplomatike ai ishte i njohur për lidhjet e tij të ngushta me Gardën Revolucionare dhe veçanërisht me njërin nga ish drejtuesit e saj kryesor, i cili u vra në Irak, nga një sulm amerikan, Qasem Soleimani
Ndërkohë, në funksion të kësaj agjende pan-rajonale, Irani ka krijuar dhe mbështetur shumë grupe militare sikurse, Hezbollah-un në Liban, milicitë e armatosura në Irak, grupi militant Hamas në Rripin e Gazës si dhe rebelët Huthi në Jemen. Kohën e fundit incidentet janë shtuar tej mase, veçanërisht ndaj trupave amerikane në Irak. Kurse si pasojë e këtyre sulmeve edhe tre ushtarakë amerikanë kanë gjetur vdekjen në një bazë ushtarake në Jordani. Ndërkaq, tensionet arritën kulmin, kur ky shtet, për herë të parë lansoi në sulm me raketa kundër shtetit të Izraelit, në shenjë hakmarrje për sulmin që më herët ky i fundit kishte bërë ndaj konsullatës iraniane në Damask, ku u vranë disa zyrtarë të lartë ushtrisë iraniane. Të mos flasim këtu edhe për sulmet e vazhdueshme të grupit rebel Huthi, në Detin e Kuq, ndaj anijeve tregtare, më qëllim destablizimin e ekonomisë botërore.
Mirëpo, krahas kësaj situate të komplikuar ndërkombëtare, shteti i Iranit jo shumë kohë më parë është përballuar edhe më presione të brendshme. Mijëra gra u ngritën në këmbë kundër regjimit autoritar teokratik të Ali Khamenit, për shkak të torturimit për vdekje që “policia morale” e regjimit e kishte ushtruar ndaj Mahsa Amini-it, një vajzë të re me preteskstin se kishte shpërfillur kodin e veshjes fetare. Kjo revoltë masive, tregoi më mirë se asgjë tjetër, për fragjiltetin e brendshëm të Iranit, si dhe antagonizmat interne fraksionale. Shto këtu edhe faktin mbi gjendjen e zymtë ekonomike për shkak të sanksioneve perëndimore
Këto kontigjenca politike e kanë bërë më të paqartë se kurrë fatin politik të regjimit teokratik në fuqi. Shpeshherë në sisteme të tilla vdekjet e figurave qendrore të tij shërbejnë si katalizator të ndryshimeve të papritura. Mbetet të shihet se a do të ndodh e njëjta gjë edhe më këtë vdekje të papritur “politike”./TV Arbëria