Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Fati i populizmit në vitin 2024

Fati i populizmit në vitin 2024

Shkruan: Afrim Kasolli- Ashtu si çdo lëvizje politike që mund t’i ketë ngritjet dhe uljet e saj, edhe populizmi nuk bënë përjashtim nga ky “rregull” i pashkruar i historisë.

Tashmë mendësia, mënyra e veprimit dhe fryma e saj do të shfaqet e rishfaqet në skenën politike.  Kjo lëvizje do të jetojë në mesin tonë, së bashku me format e tjera të mobilizimit politik ,sikur se është demagogjia, retorika e zbrazët etj. Ajo në masë të madhe është edhe produkt i kushteve aktuale politike. I pamundësisë së partive tradicionale për të ofruar zgjidhje për problemet e akumuluara ndër vite. Dhe i shtimit të frustrimit masiv të publikut me sjelljen e tyre.

Gjithsesi, një nga testet vendimtare të populizmit pa dyshim se do të jetë viti 2024. Dhe këtë jo vetëm pse ngjarjet kryesore globale të këtij viti, sipas të gjitha gjasave do ta shoqërojnë botën edhe vitin ardhshëm.

Kështu, lufta ndërmjet Izraelit dhe grupit militant palestinezes të Hamasit në rripin e Gazës, ajo ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, stërzgjatja e të cilës do të jetë një ushqim shtesë për sentimentet publike kundër partive të estabilshmentit për shkak të kostos që është duke krijuar.

Madje, analistë të ndryshëm kanë vënë në pah se njëri nga qëllimet strategjike të Putinit ka qenë, që ta mbajë të hapur sa më gjatë që të jetë e mundur këtë konflikt, deri sa të zbehet solidariteti ndërkombëtar me rezistencën e Ukrainës, për shkak të presionit të brendshëm të demokracive perëndimore. Dhe çarje të tilla nuk është se kanë filluar të mos vërehen.

Mirëpo, mbase përcaktuesi kryesor i këtij trendi, padyshim se do të mund të jenë zgjedhjet presidenciale në SHBA në nëntorin e vitit të ardhshëm. Me ish-presidentin Donald Trump, si kandidat potencial për t’i rifituar këto zgjedhje po dëshmohet më shumë se në çdo rast tjetër forca efektive e populizmit.  Dhe nga një fitore e tillë ka gjasa që si demokracia amerikane po ashtu edhe bota të mos jetë më e njëllojtë.

Sipas Jan-Werner Muller, njërit prej njohësve më të spikatur të populizmit, një mandat i dytë nga Trumpi mund të jetë edhe më autokratik se i pari. Madje më shumë se vetë ai, është shpura e tij që në vitin 2025 nuk do ta lejojnë përsëri atë që quhet si “deep state” ta frustrojë liderin e tyre.

Kurse, analistë të ndryshëm kanë vënë në pah se tashmë ekziston një plan i detajuar për t’i zëvendësuar mbi 50 mijë shërbyes civilë me bashkëpunëtorë të ngushtë më qëllim kontrollimin politik të departamentit të drejtësisë.

Ndërkohë, sipas këtij studiuesi të njohur, ish Presidenti Trump, tashmë as nuk është duke i fshehur qëllimet e tij. Në vazhdimësi ai është duke pohuar se “ose forcat e errëta të lidhura me “deep state”, do ta shkatërrojnë Amerikën ose kjo e fundit të parin”. Dhe nëse ai fiton, mbase ka gjasa që këtë rezultat ta marrë edhe si satisfaksion psikologjik dhe konfirmim politik se tashmë populli ka vendosur në mënyrë demokratike edhe në favor të hakmarrjes dhe shkatërrimit ndaj atyre që e vodhën vullnetin e tij para katër viteve.

Parashikime të tilla të zymta mbase dëshmojnë se e vetmja gjë e sigurt që na pret në vitet para nesh është shtimi edhe më i madh i pasigurisë.

/TV Arbëria

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Themes by WordPress