Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Fati i dialogut Kosovë – Serbi përballë “anarkisë që po troket”

Fati i dialogut Kosovë – Serbi përballë “anarkisë që po troket”

Shkruan: Afrim Kasolli

Si fund i “pax americana”, rikthim i rivaliteteve gjeopolitike të shekullit 19-të ndërmjet fuqive të mëdha për zotërime territoriale, rilulëzim i një epoke të re të nacionalizimit si dhe shkallmim i rendit botëror aktual, janë vetëm disa nga përshkrimet e shpejta që po i bëhen disa prej veprimeve të politikës së Jashtme amerikane, pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë të Presidentit, Donald Trump.

Në funksion të agjendës së tij elektorale, Amerika e Para (America First) shefi i ri i Zyrës Ovale, ka treguar se nuk e përjashton as përkormin e forcës për realizimin e interesave vitale nacionale amerikane. Kërcënimi për ta aneksuar ishullin e Grenlandës, i cili ndodhet nën sovranitetin e Mbretërisë së Danimarkës, një vend ky tradicionalisht aleat i SHBA-ve, si dhe ri-marrja nën kontroll e Kanalit të Panamasë, e deri tek propozimi për zhvendosje të popullsisë palestineze nga Rripi i Gazës, janë vetëm disa nga simptomat e kësaj kthese të re diplomatike të superfuqisë planetare.

Natyrisht, këtu nuk duhet përjashtuar as zotimin për ta filluar një luftë tregtare, fillimisht me Kinën, me qëllim kufizimin e potencialeve të këtij shteti, por duke mos e përjashtuar atë edhe ndaj shteteve të BE-së, nëse nuk i nënshtrohen direktivave të tij. Shembull mund të merret kërcënimi ndaj Danimarkës, se do të përballet me një presion të tillë nëse nuk i merr në konsideratë interesat e tij për ishullin në fjalë, apo edhe rasti i fundit duke e detyruar shtetin e Kolumbisë që t’i nënshtrohet urdhrit të tij për pranimin e emigrantëve, vetëm pas imponimit prej 25 për qind të tarifave.

Zemërimin e SHBA-ve me rendin aktual ndërkombëtar, asgjë nuk e pasqyron më mirë se raportimi i Sekretarit të ri shtetit, Marco Rubio para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, kur pohoi se rendi aktual ndërkombëtar është tashmë i vjetruar; dhe është bërë një armë që përdoret kundër nesh”. Prandaj, “vendosja e interesave kryesore kombëtare mbi gjithçka tjetër nuk është izolim politik. Një politikë e jashtme e përqendruar në interesat tona kombëtare nuk është një relikë e vjetëruar,” por në një farë mënyrë armë e domosdoshme në rrethanat në të cilat po katandiset bota. Kurse vizita e tij e parë në detyrë në shtetet e Amerikës Latine, diçka që nuk ka ndodhur që 100 vite, që një Sekretar Shteti fillimisht ti vizitojë ato vende para tyre evropiane tregon riorientimin diplomatik të Uashingtonit.

Sidoqoftë, një armiqësi të hapur ndaj këtij rendi ka kohë që e kanë shprehur edhe fuqi tjera me ambicie hegjomonike globale sikur Kina dhe Rusia. Ato i kanë bërë të qarta synimet tyre revizioniste, pasi si Moska ashtu edhe Pekini, konturat e tij i konsideron se janë në kundërshtim me interesat e tyre shtetërore dhe në funksion të hegjemonisë amerikane. Lufta në Ukraine, intervenimet ne Gjeorgji e Moldavi, si dhe tensionet në Azi-Paqësor janë shprehje e pretendimeve të tyre gjeopolitike.

Këto prirje tregojnë më mirë se asgjë tjetër, se tashmë po futemi në një epokë ku botën në të cilën kemi jetuar deri më tash askush nuk ka interes ta mbrojë. E këtu duhet kujtuar faktin, se shteti i Kosovës në masë të madhe ishte dhe produkt i kësaj koniunkture ndërkombëtare. Ndërkohë, edhe procesi i dialogut që zhvillohet tash e sa kohë në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, e ka bazën në të njëjtat parametra. Dhe për shumë ky proces ka qenë fryt i unitetit trans-atlantik.

Por tash e tutje, siç ka deklaruar ish-ambasadori amerikan në Beograd, Cameron Munter në “krye të Shtëpisë së Bardhë, ndodhet një administratë e cila nuk është mike e Bashkimit Evropian. Donald Trump nuk është dikush që mendon shumë për Bashkimin Evropian”. Për më shumë, as nuk i bëhet vonë se këto vende a do të anëtarësohen në BE apo jo, çfarë edhe është qëllimi primar i dialogut, sepse për të Amerika është e para. Prandaj, edhe nuk do të ketë një Gabriell Escobar që do ta mbështes një Miroslav Lajçak.

Ky i fundit para pak dite ka deklaruar, se BE-ja do të jetë e angazhuar në procesin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje në mes Kosovës dhe Serbisë. Madje, sipas tij vetë Kaja Kallas, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, do jetë e përkushtuar së, bashku me emisarin i ri për dialog diplomatin danez, Peter Sorensen. Dhe po ashtu është duke u përgatitur një propozim i ri, për të dy vendet pas përfundimit të zgjedhjeve në Kosovë.

Sa do të kenë sukses kjo dyshe e re diplomatike mbetet të shihet. Mirëpo, ka pak gjasa të pritet ndonjë një mrekulli, edhe pse në dallim nga Borelli dhe Lajcaku, të paktën të parët nuk kanë paragjykime ndaj statusit të Kosovës. Mirëpo, tashme dy diplomatët e rinj në masë të madhe do të operojnë në kushte krejtësisht tjera ndërkombëtare. Në fund të fundit, siç shkruante mediumi i njohur britanik The Guardian, “kush do ta kishte menduar se kur ishte caktuar data e takimit jo formal ndërmjet BE-së dhe Britanisë për të diskutuar shqetësimet e përbashkëta të sigurisë, (i cili do të mbahet në Brueksel me 3 shkurt), si agjendë kryesore do të ishte “agresioni i SHBA ndaj një shteti evropian”. Kurse vetë kryeministrja e shtetit nga vjen i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë Serbi, pas një telefonate të tensionuar që e ka pasur me Presidentin amerikan e ka kaluar javën duke kërkuar solidaritet të vendeve të BE-së kundër Amerikës.

Në këtë kontekst, ka gjasa që mbi Kosovën do të shtrohet një dilemë tjetër strategjike, se si duhet të veprojë ne raport me dialogun më Serbinë përballë “anarkisë që po troket”./tvarbëria/