Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Fati i dialogut Kosovë-Serbi me një BE të zhvleftësuar gjeopolitikisht?

Fati i dialogut Kosovë-Serbi me një BE të zhvleftësuar gjeopolitikisht?

Shkuan: Afrim Kasolli

Gjatë ditës së djeshme qëndroi për vizitë në Kosovë i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Kjo ishte vizita e parë e tij prej se e ka marrë këtë detyrë. Pas takimit me përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, diplomati danez deklaroi se prioritet për të do te jetë që të sigurojë takime mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë. Dhe se janë vetë palët që pastaj do të vendosin për kompromise potenciale. Kjo vizitë e pason atë të Sekretari të Përgjithshëm të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Mark Rutte, javën e kaluar. Edhe zyrtari i NATO-së, gjatë qëndrimit në Prishtinë nuk la pa kujtuar se “të dyja palët(Kosova dhe Serbia) duhet të tregojnë fleksibilitet dhe të bëjnë kompromiset e nevojshme”.

Ndërkohë, në dallim nga takimi me përfaqësuesin e Aleancës Veri-atlantike, ku as presidentja dhe as kryeministri në komunikatat e tyre nuk deklaruan se kanë biseduar edhe për dialogun, në rastin e takimit me përfaqësuesin e BE-së, megithë dallimet në nuanca thuajse secili nga zyrtaret shtetëror kanë shkruar se i kanë bërë thirrje të dërguarit të BE-së që kjo e fundit t’i suspendojë masat sanksionuese ndaj Kosovës dhe se t’i trajtojë të dy palët në mënyrë te balancuar, sepse kjo qasje e Brukselit po e dëmton procesin e dialogut.

Nuk mund të mohohet fakti se vizita, si e shefit të NATO-së ashtu edhe të dërguarit të Brukselit vjen në një kohë tejet delikate gjeopolitike , si për rajonin ashtu edhe për vetë BE-në. Kuptohet pesha e të dy zyrtarëve ndërkombëtarë nuk është e njëjtë. Sepse Mark Rutte pas qëndrimit në rajon u prit në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, kurse siç e kam potencuar në disa prononcime, jo vetëm Peter Sorensen, por edhe shefja e tij Kaja Kallas zyra e së cilës merret me lehtësimin e dialogut Kosove Serbi, më qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, përkundër insistimit të saj ka dështuar të takohet deri më tani me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio. Një dëshmi kjo, e injorimit që është duke i bërë Uashingtoni zyrës për Politikë të Jashtme dhe Siguri në Bruksel.

Në këtë kontekst, ky zhvleftësim gjeopolitik i BE-së, që ka filluar me përjashtimin e saj nga negociatat e drejtpërdrejta ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës, për sigurimin e armëpushimit në Ukrainë, nuk ka dyshime se do të ketë implikime edhe për fatin e dialogut Kosovë-Serbi. Ka qenë e ditur prej fillimit se suksesi eventual në këtë proces, as që ka mundur të paramendohet pa mbështetjen e Uashingtonit. Dhe tensionet e fundit ndërmjet këtyre dy entiteteve vetëm sa e kanë vënë në pah dobësinë e Unionit. Është e vërtetë se Bashkimi Evropian deri më tani ka përfituar ekonomikisht në masë të madhe nga koniunktura gjeopolitike që ka dominuar. Siguria e tij ishte e garantuar nga Aleanca Transatlantike, në qendër të së cilës qëndronte SHBA, nga njëra anë, si dhe duke përfituar nga burimet e lira energjetike ruse dhe marrëdhëniet tregtare me Kinën. Dhe është kjo varësi e shumëfishtë që ka ndikuar që BE-ja të mund të shantazhohet , sidomos nga Pekini dhe Moska, për qëllimet e tyre strategjike. Për më shumë, ky bashkëpunim edhe i ka kontribuar forcimit të Aksit të Rezistencës të përfaqësuar nga Rusia dhe Kina kundër rendit aktual ndërkombëtar. Dhe deshëm apo nuk deshëm, kjo varësi e BE-së, sidomos nga Rusia e ka kushtëzuar edhe trajtimin asimetrik të Kosovës në procesin e dialogut nga Brukseli për një kohë të gjatë dhe jo vetëm në rastin e imponimit të masave sanksionuese aktuale, ndaj të cilave me të drejtë po ankohet lidershipi politik i vendit.

Mirëpo, si presidentja Osmani dhe me theks të veçantë kryeministri Kurti i kanë kontribuar këtij devalvimi të pozicionit të Kosovës kur e ushqyen revoltën populiste kundër riaranzhimit të dialogut në Shtëpi të Bardhë, me arsyetimin se Kosova nuk është Meksikë dhe se ajo ndodhet në dyert e BE-së, prandaj fati i saj duhet të përcaktohet nga kjo e fundit. Pra kërkesa e tyre ishte që monopolin për dialogun, Kosovë-Serbi, në fund ta ketë një BE, e motivuar nga qasja transaksionale me Putinin.

I ndodhur përballë këtyre vështirësive, sot thuajse është e pamundur që Brukseli të ketë një qasje më produktive në procesin e dialogut. Tashmë i mungojnë edhe levat për të ushtruar ndikim mbi palët. Dhe mjerisht kjo zbehje e rolit së BE-së po ndodh në një kohë kur të paktën në krye të procesit të dialogut ndodhen dy diplomatë që kanë qëndrim miqësor për shtetin e Kosovës, në dallim nga ata pararendës, sikur Josep Borrel dhe Mirosllav Lajcak. Mirëpo, në marrëdhëniet ndërkombëtare mungesa e peshës gjeopolitike, nuk mund të kompensohet nga qëndrimet personale.

Ndërkohë, humbje më fatale për shtetin tonë, më shumë se sa dobësia aktuale e BE-së, do të ishte pamundësia për ta kompensuar këtë vakum duke e ofruar vetën si aset të domosdoshëm strategjik për Uashingtonin. E deri sa politika në Kosovë po merret me akuzat dhe kundër akuzat për hajni të votave e vonim të procesit të krijimit të institucioneve të reja qeverisëse, Alekdandër Vucic, përkundër presionit të brendshëm nga protestat popullore, po e shfrytëzon shansin për ta forcuar raportin me njerëzit e afërt të presidentit amerikan Donald Trump.