Shkruan: Afrim Kasolli
Partia Demokratike e Kosovës ka kohë që nominalisht e ka ndërruar identitetin e saj politik dhe ideologjik. Ajo nga një parti konservatore është transformuar në parti liberale. Madje duke u bërë edhe pjesë Aleancës së Partive Liberale të Evropës(ALDE). Vlerat e kësaj kulture politike bazohen kryesisht në afirmimin dhe respektimin sukseseve dhe arritjeve individuale. Ku për këtë fundit më të rëndësishme se trashëgimia biologjike, lidhjet e gjakut, a po të qenit pjesëtarë i një klani të fuqishëm, janë arritjet e tij e personale.
Mirëpo, kushdo që e ka parë strukturën e përfaqësimit në hierarkinë e kësaj partie, e sheh se spikatë qartë tendenca dhe dominimi i mendësisë së familjarizimit politik. Madje, duke e shndërruar atë më shumë në një aleancë të grupeve familjare, se sa në subjekt të afirmimit të vlerave liberale. Djali, nipi, mbesa, dhëndëri i këtij e atij zyrtari të kësaj partie, e kanë formuar boshtin e “reformave” politike brenda saj. Pra thjesht ndërrimi i gjeneratave brenda partisë si mjet për konservim të pushtetit familjar.
Kjo frymë është duke u vërejtur edhe në prezantimin e disa prej emrave në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit. Kryesisht, është vënë theksi të përkatësia e gjakut të atyre qe po prezantohen. Njëri pse është babai i një sportisti të njohur, e tjetri pse është djali po ashtu i një këngëtare të muzikës folklorike, apo edhe dhëndëri i një ish-ministri nga koha kur PDK ishte në pushtet. Një qasje kjo që bazohet më shumë mbi pretendimin e fuqizimit të bazës elektorale familjare, se sa kërkimin e pushtetit në përputhje me përcaktimin formal liberal.
Mirëpo, mobilizimi politik duke u bazuar vetëm në këtë trashëgimi e klanizon një subjekt. Dhe ky i fundit nga një medium për përfaqësim qytetar transformohet në një mjet ku imazhi ose pushteti familjar mbesin kriter për karrierë politike.
Operimi mbi këtë standard e shtron shtratin e “rifeudalizmit politik” të partive, ku kapitali, familja dhe pushteti bëhen një e të pandarë. Ndërkohë , në këtë mënyrë vritet çdo mundësi për afirmimin e qytetarit dhe individit si qenie politike jashtë këtyre strukturave “primordiale”. Janë këto disa nga arsyet që e bëjnë sot PDK t’i ngjajë më shumë një “familjarizimi liberal” se sa një partie liberale siç pretendon të jetë. /TV Arbëria