Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Familjari i viktimave në Hungari: Nuk po mund ta identifikojmë Jetmirin, u dogj me dokumente

Familjari i viktimave në Hungari: Nuk po mund ta identifikojmë Jetmirin, u dogj me dokumente

Kushtrim Hoxha 28 vjeçar nga Prizreni dhe Jetmir Rexhepi rreth 30 vjeçar nga fshati Celinë i Rahovecit janë viktimat të cilat kanë ndërruar jetë derisa po vinin në Kosovë, si pasojë e një aksidenti trafiku në Hungari, ku vetura e tyre u përplas me një kamion dhe kishte marrë flakën.

Kështu thotë për KosovaPress axha i Kushtrimit, Bashkim Hoxha derisa thekson se autoritetet po e kanë të vështirë që ta identifikojnë Jetmir Rexhepin, pasi ky i fundit kishte marrë flakë në makinë bashkë me të gjitha dokumentet personale.

Ai shton se do të bëhet obduksioni i trupave të viktimave, për çka thotë se ndoshta do tu duhet edhe familjarëve të Jetmirit për të shkuar në Gjermani për të ndjekur procedurat e identifikimit.

Hoxha potencon se nuk kanë marrë ndonjë informacion të saktë se kur do të kthehen trupat e pa jetë të viktimave për varrim në Kosovë.

Ndër të tjera, familjari i viktimës thotë se 20 minuta para se të ndodhte aksidenti, Kushtrimi kishte kontaktuar djalin e tij dhe i kishte thënë se është rrugës për të mbërritur në Kosovë.

Gjithashtu ai tregon se Kushtrimi është djali i vetëm i vëllait të tij, që kishte lindur pas tri motrave, e që i njëjti tashme ka lënë një vajzë katër muajsh pas vetes.

Po ashtu, ai potencon se edhe Jetmiri ishte prind i djalit një vjeçar.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes misioneve diplomatike në Hungari dhe Gjermani, bashkë me autoritetet hungareze, po kryejnë të gjitha procedurat e nevojshme për kthimin e trupave të tyre.

/TV Arbëria