26 vjet pas masakrës, Reçaku pret dhe përcjellë vizitorë të shumtë nga mbarë Kosova dhe bota, që vijnë për të kujtuar dhe bërë homazhe në Kompleksin Memorial që ndodhet në këtë fshat e ku prehën 45 civilët e masakruar nga forcat serbe
Në Reçak janë familjarët ata që për çdo 15 janar mbërrijnë të parët te varrezat dhe janë po të parët që hedhin tufa lulesh dhe kurorash, pastaj vijnë dhe qytetarët tjerë nga mbarë vendi, kurse krerët e shtetit dhe politikanët po ashtu nuk vonohen shumë, vijnë që në paradite të kryejnë homazhet.
Mirëpo, sipas familjarëve ata janë vonuar që të përkrahin këto familje ekonomikisht, si dhe në kërkimin e drejtësisë për viktimat e kësaj masakre.
Pa përjashtim të gjitha qeveritë e pasluftës, sipas tyre nuk janë kujdesur për mirëqenien e banorëve të mbetur gjallë.
Minire Bilalli, bashkëshortja e ish ushtarit të UÇK-së i rënë në masakrën e Recakut, Lutfi Bilalli, ka rrëfyer për vrasjen e bashkëshortit të saj. Pak pasi ajo ishte larguar nga fshati për të vizituar fëmijët e saj që po qëndronin në Ferizaj, ai ishte vrarë.
“Unë kam qëndruar me bashkëshortin këtu në Reçak, dy ditë pa u bërë masakra kam shkuar në Ferizaj që t’i shoh fëmijët. Atje e kam marr vesh që është vra bashkëshorti, atë ditë edhe kemi ardhur. Dhimbje shumë e madhe”, ka thënë ajo për EO.
Bilalli thekson se shoqëria i ka dhënë rëndësi kësaj masakre, por sipas saj institucionet shumë pak janë marrë me rastin apo familjarët.
“Shoqëria shumë janë duke i dhënë rëndësi, kurse institucionet pak. Unë për fëmijët e mi po flas se i kam tre djem e një vajzë, kanë kryer fakultete, por nuk janë të punësuar. Qysh ju ka takuar nuk janë punësuar”, tha ajo.
Ndërsa, Ismet Emini, vëllau i dëshmorit Ajet Emini thotë se banorët që ishin në fshat atë ditë kanë parë familjarët të cilët para syve u masakroheshin nga gjuajtjet e serbëve.
“E kam vëllain të vrarë atë ditë. I pari është vrarë në shtëpi aty se na kanë gjuajtur”, ka treguar ai për masakrën, e cila siç shprehet Emini nuk do të harrohet kurrë.
Emini tha për Ekonomia Online se ka qenë dhe mbetet e vështirë që të harrohet ajo ditë.
“E ndjejm këtë ditë shumë të veçantë. Kjo nuk është për t’u harruar, kemi parë pamje që veç njeriu mund të përballoj se tjetër kush zor është me përballu atë se çka ndodhi. I vranë 45 veta këtu pa faj. Na nxorën na qiten jashtë, na masakruan na bënë çka ditën keq e më keq”, tha ai.
Emini ka bërë të ditur se asnjëherë nuk janë përkrahur nga qeveritë për t’u kujdesur për jetimët. Madje, asnjë biletë për autobus nuk u paguar shtetit për t’i dërguar në shkollë jetimët.
“Në atë ditë gjithë ditën nuk e kemi ditë se ku janë këta tjerët, edhe vetë jam i plagosur. Të nesërm i kemi gjetur kufomat në kodër edhe ne vende të tjera ku i kanë vrarë në fshat. Asnjë qeveri nuk ka bërë sa duhet për ta. Vëllai im e ka pasur emrin Ajet, ka qenë 38 vjeçar ku ka vdekur 5 fëmijë i ka lënë pas. Ata 5 fëmijë unë i kam rritur edhe i kam shkolluar. Qeveria asnjë biletë për autobus nuk ma ka dhënë për t’i dërguar në shkollë apo të kujdeset dikush për këta njerëz për këta jetima. Prej krejt këtyre kanë shitur lopën, viqin, kuajt e kanë dal në gurbet për të jetuar. A qeveritë tona na kanë lënë kështu”, tha ai për Ekonomia Online.